E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i vë drynin komunës, votohet në lokal mocioni i votëbesimit

Debatet për miratimin e buxhetit
të Komunës Allkaj në
rrethin e Lushnjës kanë degjeneruar
deri në përplasje të ashpra
mes këshillit dhe kryetarit të
komunës, Petrit Malia. Ky i fundit,
ditën e djeshme, edhe pse ishte njoftuar
për zhvillimin e mbledhjes së
komunës, ka mbyllur derën e saj,
duke mos lejuar asnjë prej
këshilltarëve të hyjë në godinë. Përballë
drynit të derës kryesore të komunës,
kreu i këshillit dhe shumica
e këshilltarëve kanë marrë një mjedis
me qira në një lokal të fshatit.
Nëntë këshilltarë nga 15 që
numëron këshilli, në orën 10.00 të
së shtunës janë bërë "pengesë" për
një ceremoni martese. Dasmorët
kanë pritur rreth një orë, derisa
këshilltarët kanë zhvilluar
mbledhjen e parashikuar. Objekt i
mbledhjes së djeshme ka qenë mocioni
i votëbesimit ndaj kryetarit të
komunës, sekretarit të këshillit, si
dhe nënkryetarit të këshillit. Pas
votimit, të nëntë këshilltarët kanë
miratuar shkarkimin e sekretarit të
këshillit Manol Nushi, si dhe nënkryetarit
të këshillit, Skënder Zeqo.
Këshilltarët nuk e kanë votuar shkarkimin
e kryetarit të komunës, por
i kanë bërë thirrje atij për përgjegjshmëri
ligjore në drejtimin e komunës.
Ndërkohë, kryetari i këshillit në Komunën
Allkaj, Rexhep Thana, është
shprehur se kryetari i komunës jo
vetëm që e ka mbyllur derën e institucionit
për këshillin, por nuk ka
lejuar as mjekun e fshatit që ka zyrën
në mjediset e brendshme të godinës.
"Madje, ai ka penguar me mbylljen
e derës edhe filialin e postës, si
dhe farmacinë e fshatit, duke bërë
që komuniteti këto shërbime t‘i
marrë në Lushnjë. Kjo është një papërgjegjshmëri
e kryetarit të komunës",
ka thënë për "Shqip" kryetari i
këshillit, Rexhep Thana. Mësohet se
konflikti ka nisur para dy muajsh.
Gjatë muajit shkurt, këshilli i Komunës
Allkaj nuk mundi t‘i sigurojë
votat e mjaftueshme për të votuar
buxhetin e vitit 2009. Përpara këtij
fakti, sekretari i këshillit, Manol
Nushi, ka shkuar në banesat e 15
këshilltarëve, duke udhëtuar në
katër fshatrat ku ata kishin shtëpitë
dhe ka mundur të marrë firmat e
tyre. "Firma ka qenë thjesht për konfirmim
të pjesëmarrjes në mbledhje,
por çuditërisht u përdor nga sekretari
i komunës për të dokumentuar
miratimin e buxhetit", ka sqaruar
kreu i këshillit të komunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›