Kreu i vendorëve evropian: Po shoh një Tiranë ndryshe
25/03/2005 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, priti dje Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës, Giovanni di Stasi. “Është personifikim i një tendence të re në rritje, në aspektin social, në aspektin kulturor. Duken qartë shenjat e këtij drejtimi të ri në qytet. Unë kam qenë këtu para 7 vjetësh, para 2 vjetësh dhe para një viti dhe vazhdimisht shikoj progrese të mëdha. Sot diskutuam në lidhje me një mundësi të re, mundësinë për të përdorur këtë eksperiencë për të dhënë një imazh të ri të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare”, tha Stasi. Ndërsa kryebashkiaku Rama u shpreh: “Patëm një bisedë shumë të këndshme dhe pata kënaqësinë të dëgjoj të gjitha vlerësimet e mikut tonë të nderuar për transformimin në Tiranë dhe njëkohësisht filluam të flasim për mundësitë e futjes të këtij transformimi, në funksion edhe të një përmirësimi të mëtejshëm edhe të imazhit të Shqipërisë dhe të rajonit, në kuadrin e integrimit evropian”.