Miratohet ligji për ushtritë
25/03/2005 Deputetët kanë miratuar në konsensus të plotë ligjin për lëvizjen e trupave ushtarake shqiptare jashtë shtetit si dhe për praninë e Forcave të Armatosura të vendeve të tjera në Shqipëri. Fillimisht, ekspertët e qeverisë kishin kërkuar që për pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse, apo në stërvitjet e përbashkëta, duhet të jetë Këshilli i Ministrave që do të marrë vendim. Në raste të tilla, qeveria njoftonte Presidentin dhe parlamentin. Por, gjatë diskutimeve, deputetët janë shprehur se kjo kërkesë është antikushtetuese, ndaj dhe janë vendosur një sërë ndryshimesh. Tashmë në ligjin e miratuar, Kuvendi është i detyruar që të japë vendimin brenda 10 ditëve, kur bëhet fjalë për stërvitje të përbashkëta dhe brenda gjashtë ditëve, kur bëhet fjalë për pjesëmarrje në misionet paqeruajtëse. Përshpejtimi i afateve është cilësuar mënyra më e mirë për të garantuar standardet ndërkombëtare. Vendimi i Kuvendit është përshëndetur dje dhe nga ekspertët e Ministrisë së Mbrojtjes.