E Diel, 1 Nëntor 2026

PD zë 13 për qind të lajmeve, PS 10 %

25/03/2005  RTSH paraqet raportin e vitit 2004

Këshilli Drejtues i Radiotelevizionit ka paraqitur në Kuvend punën njëvjeçare të tij. Në raport është theksuar se gjatë vitit që lamë pas nuk është realizuar detyrimi ligjor për të mbuluar 99 për qind të territorit të shtetit tonë me valët e Televizionit shqiptar. Deri më tani është regjistruar se TVSH shihet vetëm në 73 për qind të territorit. Gjithashtu është pranuar se nuk u realizua hapja e stacionit të dytë televiziv. Në raport është vlerësuar se shkak për këtë ka qenë fondi i pamjaftueshëm që është dhënë nga Buxheti i Shtetit shqiptar. Një tjetër pikë e rëndësishme në raport, është paraqitja grafike e minutazhit që iu është dhënë partive politike gjatë edicionit të lajmeve. Kështu zvillimet në parlament kanë zënë 5,1 për qind të minutazhit, Presidenca 3,99, Kryeministria 16, 52 dhe qeveria 31,13 për qind. Ndërsa në lidhje me partitë politike, rezulton se lajmet nga Partia Demokratike kanë zënë një kohë disi më të madhe mbi minutazhin e Partisë Socialiste apo të partive të tjera politike. Kështu, lajmet nga PS kanë zënë 10.78 për qind të lajmeve, ndërsa të Partisë Demokratike kanë zënë 13. 22 për qind. Në raport theksohet se të dhënat shprehin balancimin në qëndrimet e Televizionit Publik Shqiptar. Ndërsa është vlerësuar se ndryshe nga vitet e shkuara, gjatë vitit që shkoi, një vend të rëndësishëm kanë zënë emisionet dhe lajmet me karakter social. Kështu 16 për qind të programit e kanë zënë emisionet sociale dhe 14 për qind kanë zënë lajmet ndërkombëtare. Raporti është paraqitur dje në Komisionin e Medias, ndërsa do të diskutohet sërish ditën e hënë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›