Metoda të reja sundimi
Ka kaluar mbi një muaj qyshse televizionit A1 i është ndërprerë energjia nga KESH, përmes tij, siç duket qartë ndërkaq, nga vetë shteti dhe qeveria shqiptare. Të vetmit që kanë ngritur zërin deri tani kundër këtij veprimi të dhunshëm të një enti shtetëror, që kërkon dhjetëra mijëra euro për t'u tërhequr e për ta lëshuar përsëri energjinë, është shoqëria „Spektër" dhe gazeta „Shekulli", pra pjesët e po asaj kompanie private, ku bën pjesë edhe televizioni A1. Protesta ngrihet nga vetvetja për t'u kthyer po aty.
Në rast se do t'i ndëpritej energjia një stacioni të madh televiziv, bie fjala, Top Channelit, atëherë do të ishin ngritur menjëherë shumë zëra, madje brenda pak orësh do të protestonin deri dhe organizma ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e shtypit të lirë etj. Po kjo gjë do të ndodhte, për paradoks, edhe nëse do të bllokohej „Shekulli", gazeta më e madhe në vend, e zëmë nëse u pritej energjia rotativave që prodhojnë gazetën çdo natë. Për të mos e çuar përfytyrimin më tej, le të kujtojmë korin e protestave kur një përfaqësues i shtetit goditi me pëllëmbë një gazetar relativisht të panjohur. Ma do mendja se kështu do të ndodhte edhe sikur drejtori i KESH-it, në vend që të jepte urdhrin për ndërprerje energjie te televizioni A1, të kishte goditur personalisht drejtorin e A1, me grusht ose me një elektrodë etj.
Fjala është te dhuna e heshtur e shtetit tonë që ndodh, me sa duket, ditë për ditë në periferi, tjetër se ne e dëgjojmë e a mësojmë pak, për të ardhur pastaj në qendër: sepse një shtet e një qeveri që është mësuar me metoda të dhunshme nuk do arrijë t'i bëjë zap për gjithë kohën ato metoda, që janë praktikisht instinkte, kundër gjithçkaje që ka një pavarësi relative dhe nuk pranon të përshtatet sipas orkestrës dhe dirigjentit lart. Kemi pasur disa raste të bujshme, bie fjala taksimi astronomik i DigitAlbit, që shpuri në protesta masive, deri mitingje në Sheshin Skënderbej, e ndoshta në ndonjë kompromis që nuk e morëm vesh më, tentativat e përsëritura të ministrave tanë të Kulturës e Sporteve për të ndërhyrë në punët e brendshme të Federatës së Futbollit, e për të vënë aty njerëzit që duan ata – përsëri mjeti i presionit, ta quajmë më mirë, i shantazhit është ai ekonomik. Një kërkesë fiskale astronomike dëgjoj që i ka ardhur kohët e fundit kolegut e mikut Kujtim Çashku për Shkollën e tij të Kinematografisë „Marubi".
Kush e ka ndjekur me vëmendje sjelljen e kryeministrit tonë të sotëm, president i djeshëm, kundrejt mediave, në përgjithësi shtypit e kulturës së lirë, pa ndonjë vështirësi vjen në përfundimin se, ndërsa në vitet '90 instinktet e tij ndaj çdo gjëje që e kundërshtonte përfundonin shpesh në dhunë të hapur, në burgosje dhe rrahje gazetarësh në djegie redaksish dhe razzia nëpër lokale ku qëndronin zakonisht opozitarët e atëhershëm, sot vërehet zhvendosje e metodave të persekutimit të kundërshtarit në sektorin ekonomik. Nuk është ndonjë gjetje e madhe, pasi përdoret shpesh dhe me sukses, bie fjala në Moskë. Çështja është, po opinioni publik shqiptar, intelektualët, njerëzit e kulturës, qytetarët në përgjithësi do të rrinë heshtur e duarlidhur para kësaj dhune të re, ku të kamufluar, ku të hapur, dhunës së shantazhit ekonomik-elektrik-fiskal?
Edhe pse ideatori lart mund të jetë nganjëherë i hollë në gjetjet e tij, zbatuesit e shantazhit një a dy shkallë më poshtë, janë rëndom të pagdhendur: taksidarët që hyjnë me përdhunë në një studio televizive, faturuesit e elektrikut që thonë pa pikë turpi: dje kemi matur me kontatorët e gabuar, sot na dalin matje të tjera për dje, tundni milionat (këtë bëjnë me A1), ministri Pango që i shkruan UEFA-s një lutje për hetim antikorrupsion në Federatën shqiptare të futbollit etj. Për mua këto veprime janë po aq hovdalle sa dhe shuplaka e ish-ministrit të brendshëm Rama ndaj gazetarit Babaramo, por opinioni ynë publik, gazetarët dhe analistët e ndryshëm janë disi të topitur dhe vazhdojnë të heshtin, pa e kuptuar se, po arriti qeveria të heqë e të vërë sipas qejfit njerëz në institucione të pavarura – siç bënë me institucionet e varura, me presidentin e prokuroren etj. - po arritën të mbyllin stacione televizive e radiofonike me metodat e shantazhit ekonomik-elektrik, po arritën të falimentojnë edhe të vetmen shkollë arti-kulture që ka ecur në Shqipëri atë „Marubi", liria jonë ka marrë fund.
Kur goditen institucione gjysmë publike si FSHF, goditësit e kanë punën pak më të vështirë ndaj opinionit. E kemi parasysh sa bosh doli e ç'figurë bëri ministri i mëparshëm i Kulturës dhe Sporteve, pasi që UEFA e FIFA mbrojtën hapur FSHF dhe pavarësinë e saj. Në rastin e një kompanie ose institucioni privat gjendja është më e ndërlikuar për të dobtin, atë që sulmohet nga shteti. Kjo ka të bëjë kryesisht me mendësinë mbizotëruese te ne, që mund të përmblidhet në frazën gëzimligë: „e mo, mirë ia bëjnë, kanë para plot ata". Por nëse ti ke ngritur një medium a një shkollë arti në mënyrë private, nëse ti arrin t'i mbash këto me hir e me pahir në një vend si ky yni, ku s'ke siguri as për pronësinë, as për korrentin etj., kjo s'do të thotë që ti po bëke qejf me ato biznese dhe aty nuk vepron po ai kod që mbron kudo mediat, artin dhe kulturën e lirë! Përderisa u mor vesh se mediat publike, shkollat publike të kulturës e të artit te ne, vazhdojnë të jenë në gjendje knock-down-i, barra e bartjes së mendimit të lirë, debatit të lirë, kultivimit të shpirtit të lirë artistik do t'u mbetet doemos – siç ndodh faktikisht – këtyre institucioneve private. Dhe neve na duhet t'i mbrojmë ato me të njëjtën forcë siç do të mbronim çdo institucion publik, çdo gazetar e krijues të pavarur të këtij vendi, në qoftë se ai do të sulmohej në këtë mënyrë nga levat e shtetit.
Në një nga protestat e fundit kundër veprave të naftës në Vlorë, një nga protestuesit po më thoshte: Në të vërtetë kur jemi kështu bashkë nuk kemi frikë, por veç e veç njerëzit kanë frikë. Sepse dikush nuk paguan taksat, një tjetër ka marrë një shesh-ndërtimi me pa të drejtë, një tjetër pret një firmë nga kryetari i bashkisë etj. Me një fjalë, çdokush nga ne qenka i shantazhueshëm dhe i dhunueshëm prej shtetit!
Unë nuk kam qenë te kontatori i A1 dhe as kam ndër mend të hyjë në arsyetimet dhe teknologjitë më të fundit të drejtorit të KESH-it. Më mjafton absurditeti i kërkesës „do t'ju faturojmë ndryshe sepse kemi matur gabim deri më tani", për të kuptuar se kemi të bëjmë me një rast të pastër shantazhi. Duke e ditur frymën liberale dhe korrektesën e gazetës „Shekulli", në forumet e të cilëve vijnë kur duan të bëhen të besueshëm deri edhe ata që militojnë në gazeta të çuditshme, partiake, ekstremiste etj., jam i sigurt se edhe A1, pjesë e po asaj shoqërie private, mbizotërohet nga e njëjta frymë liberale dhe e pavarur, e po nga ajo korrektësi që dallon „Shekullin". Presioni ndaj stacionit televiziv, shumë shpejt mund të kalojë edhe mbi forumin ku shprehim atë që mendojmë prej 10 vjetësh, - atëherë do të jetë ndoshta tepër vonë për ndonjë kor protestash.
Ndërprerja e energjisë në një stacion televiziv të pavarur si A1, përderisa bëhet në mënyrë të njëanshme, përderisa nuk pret asnjë vendim arbitrazhi a gjykate, është një akt i kamufluar i dhunës së shtetit ndaj medias, që ka një synim të vetëm: rreshtimin e këtij stacioni në një radhë me servilët e ndryshëm televizivë e radiofonikë të pushtetit. Të heshtësh ndaj kësaj gjendjeje do të thotë të pranosh metoda presioni e dhune që teorikisht nuk kanë pse kursejnë asnjë, shoqëri, media, individ, të futesh në logjikën e një qeverisjeje që për hir të sundimit të pakufizuar dje ndërsente kundër nesh SHIK e policë, sot ka gjetur për masha Drejtori Tatimesh, Drejtori KESH-i e vegla të tjera kësodore.