E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës, Bode: Nuk ndërhyjmë në këtë treg

Në tregun ndërkombëtar çmimi i naftës është në nivelet e 44 dollarëve për fuçi, ndërsa në tregun vendas ai do të vazhdojë të jetë i lartë, aktualisht 130 lekë për litër. Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të ndërhyjë për të ulur çmimin e naftës në tregun vendas, duke e parë këtë si ndërhyrje në tregun e lirë. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, dhe ai aktual, Ridvan Bode, kanë debatuar në Kuvend për këtë çështje ku Bode deklaroi pamundësinë e një qeverie të djathtë për të bërë një ndërhyrje në tregun e lirë. Sipas tij, çmimet i vendos tregu dhe jo qeveria, ndërkohë që i rekomandoi opozitës që të futet në këtë biznes në mënyrë që të ulë çmimin. Por sipas Malajt, “çmimi i naftës është kthyer në monopol nga kjo qeveri, e cila nuk po ndërhyn edhe në këtë treg”, ndërkohë që në bursën tregtare sot një barel kushton vetëm 44 dollarë. Komuniteti i biznesit prodhues në Shqipëri ka denoncuar abuzimin me çmimin e naftës nga grosistët, pasi sipas tyre, çmimi i rritur i naftës ndikon në rritjen e kostos së prodhimeve vendase. Ata kanë kërkuar marrjen e masave që në vend të reflektohet çmimi real i naftës, por deklarimi i qeverisë pro grosistëve për shkak të pamundësisë për të ndërhyrë në këtë treg, do ta lerë çmimin e arit të zi në nivelet e 130 lekëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›