E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijohet “9 janar 2004” për zbardhjen e tragjedisë

14/03/2005  Familjarët e viktimave të Karaburunit mblidhen në shoqatë

SHKODËR - Krijohet shoqata “9 janar 2004”. Kanë qënë vetë familjarët e të afërmit e viktimave të tragjedisë së Karaburunit të ndodhur më se një vit më parë, që kanë bërë përpjekje të shumta për të arritur deri në rregjistrimin e shoqatës në Gjykatën e Tiranës.

Të afërmit e viktimave deklarojnë se krijimi i shoqatës, erdhi si pasojë e mos zbardhjes së të vërtetës së kësaj tragjedie nga drejtësia shqiptare, duke lënë anonim personat që sipas tyre i lanë të vdisnin të afërmit e tyre natën e 9 janarit të kaluar. Me krijimin e kësaj shoqate, ata nuk do të synojnë vetëm gjetjen e së vërtetës për fatkeqësinë që i ndodhi të afërmve të tyre, por edhe të tragjedive të tjera, shkaktarët e të cilave nuk janë zbuluar ende.

Për realizimin e këtij qëllimi, kjo shoqatë ka menduar që të bashkëpunojë dhe me shoqatat e tjera që operojnë në fushën e të drejtave të njeriut dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në të gjithë botën, gjë që nga ana e tyre pritet që të sjellë rezultate pozitive në eliminimin e tragjedive të ndodhura më parë, qoftë në det, qoftë në kufirin tokësor.

Shoqata e krijuar 14 muaj nga tragjedia e 9 janarit 2004 fillimisht ka të anëtarësuar 27 persona, familjarë e të afërm të viktimave të tragjedisë dhe kryetar i saj është zgjedhur Nikollë Mhillaj, por shoqata është e hapur gjithashtu edhe për persona të tjerë, që duan të japin kontributin e tyre në zbardhjen jo vetëm të kësaj tragjedie, por edhe të tjerave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›