E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krijohet PTR, partia e romëve të Shqipërisë



Një parti e re është krijuar ditët e fundit, tashmë e regjistruar edhe në Gjykatën e Tiranës. Bëhet fjalë për partinë me ngjyrë, atë të komunitetit rom të Shqipërisë. Regjistrimi i kësaj partie dhe vendimi që e formëzon dhe e përgatit atë për zgjedhjet e qershorit, është marrë nga gjyqtarja Blerina Muça, e cila pranoi kërkesën e 500 anëtarëve për regjistrimin si person juridik të partisë më të re, Toleranca e Re e Shqipërisë, me inicialet PTR e Shqipërisë. Ndaj dhe, tre muaj para zgjedhjeve të qershorit, Gjykata e Tiranës regjistroi partinë më të re, statuti i së cilës synon përfaqësimin dhe integrimin në të gjitha pushtetet të popullsisë me ngjyrë. Kryetar i kësaj partie është zgjedhur Avdi Keçi, ndërsa si strukturë përveç Kongresit Kombëtar, Këshillit Kombëtar dhe Komitetit Drejtues, kryesinë e kësaj partie e përbën një organizëm ndryshe nga partitë e tjera. Ata janë Kryetari, Kryeurtani, Këshilli i të Urtëve dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kjo partie e re ka bërë gati strukturat dhe është gati për t’u përballur me partitë e tjera në zgjedhjet e qershorit, madje duke u shprehur mjaft ambicioze për rezultatet që do të dalin nga kjo përballje.

Vendimi

Në vendimin e saj për regjistrimin e partisë më të re politike, gjyqtarja Muça vëren se siç rezulton nga provat e paraqitura në gjykim, në datë 03.02.2009, një grup nismëtarësh, në cilësinë e anëtarëve themelues, janë mbledhur në qytetin e Tiranës dhe, pas një diskutimi të gjerë, kanë vendosur krijimin e Partisë “Toleranca e Re e Shqipërisë” me simbolet PTR e Shqipërisë. Në këtë mb1edhje është vendosur krijimi i partisë dhe janë miratuar statuti dhe programi i saj, duke u zgjedhur organet drejtuese të përkohshme, ku midis të tjerëve edhe kryetari i partisë, z. Avdi Keçi. Partia “Toleranca e Re e Shqipërisë” është një organizatë po1itike e krijuar, siç rezultoi nga dokumentacioni i paraqitur para gjykatës, në konformitet të plotë dhe në respektim të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për Partitë Politike”. Sipas vendimit të gjykatës, qëllimi dhe objektivat e kësaj partie, gjejnë pasqyrim të qartë në programin dhe statutin e saj. Kështu, në nenin 1 të statutit përcaktohet: Partia “Toleranca e Re e Shqipërisë” është një bashkim politik mbarëshqiptar, i hapur për të gjithë ata që duan dhe prosperojnë barazinë, integrimin, përfaqësimin dhe ekuilibrin ndërsocial, pavarësisht dallimeve sociale, racore, gjinore apo ekonomike, që ndiejnë si domosdoshmëri të brendshme prosperimin mbarëshqiptar. PTR e Shqipërisë, nëpërmjet politikës largpamëse të integrimit dhe përfaqësimit social-politik të popullsisë me ngjyrë të Shqipërisë, synon jo vetëm të bëjë të frytshme demokracinë shqiptare, por edhe t’i japë asaj dimensione të reja perëndimore.

Qëllimi i krijimit të PTR-së

Në pikën 8 të statutit të PTR-së përcaktohet si detyra më imediate e saj, arritja e integrimit dhe përfaqësimit social të popullsisë me ngjyrë në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor shqiptar, duke gjetur format më demokratike për të ndikuar në institucionet përkatëse për këtë qëllim. Për arritjen e qëllimit të sipërcituar, PTR e Shqipërisë ka detajuar principet ku do të mbështetet programi i saj politik. Kryesisht, këto principe synojnë në ndërtimin e një demokracie gjithëpërfshirëse me mendësi europerëndimore, ku respekti reciprok human mbarësocial, vlerësohet si virtyti pa të cilin nuk mund të ekzistojë një shoqëri e hapur demokratike. Motoja kryesore e PTR-së do të jetë harmonia dhe ekuilibri social, të cilat do të çojnë në integrimin e plotë të Shqipërisë në të gjitha organizmat evropiane. Nga shqyrtimi i akteve të depozituara në gjykatë, rezulton e përcaktuar qartë se, për arritjen e qëllimit dhe të objektivave të mësipërme, do të përdoren mjete dhe metoda demokratike, duke qëndruar larg dhunës, nxitjes së përçarjes etj., dhe duke vepruar në çdo rast, në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Në statut janë përcaktuar inicialet, emblema, flamuri dhe vula e partisë. Selia e saj është përcaktuar në Tiranë, lagjja nr. 1, Rruga “Ali Demi”. Po kështu, në statut është përcaktuar organizimi i partisë, organet drejtuese në qendër dhe në bazë, parimet themelore mbi bazën e të cilave do të funksionojnë këto organe etj. Përveç sa më lart, gjenden të përcaktuara dhe të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të kësaj partie, ku dominojnë liria e mendimit, e drejta e zgjedhjes dhe për t’u zgjedhur, pranimi dhe zbatimi i programit dhe i statutit, pjesëmarrja aktive në parti etj.

Organet drejtuese

1. Kongresi Kombëtar

2. Këshilli Kombëtar

3. Komiteti Drejtues

4. Kryetari i Partisë

5. Sekretari i Përgjithshëm

6. Nënkryetari

7. Këshilli i të Urtëve

Kryesia e Partisë

Kryetari i Partisë

Kryeurtani

Këshilli i të Urtëve

Sekretari i Përgjithshëm

Nënkryetari

Organet drejtuese në nivel vendor

1. Organizata pranë Qendrës së Votimit

2. Këshilli Drejtues pranë Zonës Zgjedhore

3. Këshilli Drejtues i Rrethit

4. Këshilli Drejtues i Qarkut

Kryetari i partisë, thirrje komunitetit për pajisje me karta identiteti

Kryetari i partisë së re mësohet t’i ketë bërë thirrje komunitetit që përfaqëson, që t’u drejtohet qendrave të njësive bashkiake ku janë të regjistruar që të pajisen me karta identiteti. Kjo thirrje është bërë publike përmes televizionit shqiptar, ku ai kërkoi nga çdo shtetas rom që ka mbushur moshën dhe që është i aftë për të votuar, t’i drejtohen njësive bashkiake për t’u pajisur me kartën e identitetit. Pajisja me kartën e identitetit u sugjerua për të përmbushur detyrimin që ka çdo shtetas para votimit në fund të qershorit. Por, një hap i tillë është ndërmarrë edhe pas regjistrimit të partisë së tyre, përmes së cilës ky komunitet synon përfaqësimin në Parlament të interesave të komunitetit rom.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›