E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda Dëshmia e Selmanit: “Tur Dajës iu pre koka nga Aldo Bare”

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dëshmuar Gramoz Selmani, miku i Artur Dajës, i cili ka bërë fajtor direkt Aldo Baren, kapon e të ashtuquajturës “Banda e Lushnjës” për vrasjen e Dajës.
Në lidhje me vrasjen e Artur Dajës, Selmani ka rrëfyer se, “Artur Dajës iu pre koka nga Aldo Bare. Ka qenë fillimisht vëllai i Aldo Bares, Ramadan Shkurti që kreu një atentat të parë ndaj Artur Dajës. Artur Daja u shpëtoi plumbave, kurse pas krimit Ramadan Shkurti u përplas me makinë. Në këto kushte Daja e vrau Ramdanin”, rrëfeu në seancë Selmani, që ndodhet në cilësinë e të pandehurit në këtë proces. Rrëfimi para syve të anëtarëve të Bandës tashmë të pandehur vazhdoi me faktet se “Bare zbuloi çfarë ndodhi me vëllanë e tij. Zbuloi se Daja ishte vrasësi”. Sipas dëshmisë, Bare më pas jo vetëm që vrau, por edhe i preu kokën Dajës, duke e shëtitur në gjithë qytetin. "Aldo Bare dhe bashkëpunëtorët e tij vranë edhe Nimet Zenelin dhe Genci Kasharin", dëshmoi Selmani, duke rënduar më shumë rrethanat në të cilat ndodhet ish-kreu i Bandës së Lushnjës.
Dëshmia
Dëshmia e Selmanit solli furtunë dje në sallën e gjyqit mes të pandehurve dhe dëshmitarit. Debate dhe akuza të ashpra mes gjyqtarëve dhe avokatëve u dëgjuan dje në procesin e Bandës së Lushnjës. Dëshmia e Selmanit ka shkaktuar reagimin e avokatëve, të cilëve Selmani iu përgjigj se kishte ikur si klandestin nga Shqipëria dhe kishte hyrë po si klandestin në vend. Ndërsa gjykata e cilësoi ardhjen e tij në gjyq konform rregullave dhe iu drejtua avokatëve që faktet kundër Selmanit ti çojnë në Prokurori. Selmani ka rrëfyer momentet se si u përça “Banda e Lushnjes”. Fillimisht pohoi rrethanat kur u vra Genci Kashari, në momentin e krimit ai gjendej së bashku me Artur Dajën dhe viktimën. “Një makinë audi qëlloi mbi ne dhe mbeti i vrarë Kashari. Më pas Artur Daja ka shkuar në makinën tip audi dhe ka vrarë menjëherë Ramadan Shkurtin dhe një person tjetër. Sipas Selmanit ky ishte dhe momenti i parë i përplasjes mes Artur Dajës dhe Aldo Bares, çka çoi në përçarjen e bandës.
Atentatet e tjera
Selmani theksoi se më pas pati atentate dhe kujtoi atentatin ku mbeti i vrarë Nimet Zineli dhe ku ai vetë shpëtoi për qime nga plumbat e Bandës së Lushnjës. Ardhja e Selmanit në sallën e gjyqit rikthen edhe njëherë debate të forta nëse ky që cilësohet si një ndër dëshmitarët kyç të krimeve të Bandës së Lushnjes duhet të vihet në pranga ose jo. Kjo dëshmi pritet të jetë kyçe dhe në procesin ndaj Aldo Bares që pretendon se është i pafajshëm dhe po gjykohet politikisht. Në seancat gjyqësore ndaj Bandës në këto 3 vjet gjykim janë dëgjuar mjaft dëshmi rrëqethëse për ekzekutimet makabre të kryera në Lushnjë dhe rrethinat e saj.

Masakrimi i kufomës
së Artur Dajës

Në datë 21.10.1998 në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjes pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi janë gjetur në vendngjarje, pjesë të një trupi njeriu. Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjes pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës. Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti dhe persona të të tjerë. Të gjithë viktimat kanë qenë shokë apo miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›