E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama Debat në Parlament dhe protesta

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjatë konferencës me zv.presidentin e Parlamentit Evropian paralajmëroi se opozita do të shpalosë në ditët në vijim programin për debate në Kuvend, me qëllim transparencën e zgjedhjeve si dhe protestat që do të shtrihen në të gjithë vendin. “Dua ta theksoj se qëndrimi ynë është i qartë, është transparent me opinionin publik, me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, ku kam parasysh jo vetëm miqtë dhe partnerët e së njëjtës familje politike, që janë përkrah nesh për transparencën e plotë që përfshin, pa dyshim, dhe hapjen e kutive, por kam parasysh edhe miqtë dhe partnerët institucionalë, por edhe kundërshtarin. Ne kemi qenë dhe jemi shumë të qartë, se nuk duam të ndryshojmë rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, por ne nuk duam dhe nuk do të lejojmë që zgjedhjet e ardhshme të kenë të njëjtin fat me zgjedhjet e shkuara, me mekanizim e korrupsionit që përcakton fituesin dhe me vullnetin e popullit që deformohet deri në tjetërsim.
Programi
Për ditët në vijim, Rama ka pohuar se opozita do të veprojë në dy drejtime, atë të dhënies së mundësisë për hetimin e zgjedhjeve, duke respektuar Kushtetutën, dhe ftesës që u është bërë qytetarëve për të protestuar. “Ne i kemi ofruar Parlamentit një zgjidhje përmes një nisme ligjore të qartë, të mbështetur në Kushtetutë dhe në parimin evropian të transparencës, e nga ana tjetër, kemi ftuar shqiptarët që të protestojnë, për ta garantuar këtë zgjidhje dhe për tia kthyer popullit të drejtën e plotë dhe të paprekshme të gjykimit të palëve në një proces elektoral. Ne do të bëjmë protestën e madhe qytetare, të të gjithë atyre që ndërkohë që gjatë muajit do të protestojnë aty ku jetojnë, aty ku banojnë, aty ku vuajnë degradimin e përditshëm të jetës demokratike dhe ekonomike, ku do të mblidhen në Tiranë, në një protestë, e cila do të shprehë të gjithë dëshirën dhe njëkohësisht revoltën për një situatë politike dhe ekonomike në degradim”, - u shpreh Rama.
Qëndrimi
Rama ka pohuar gjithashtu se qëndrimi i tyre do të jetë i palëkundur deri në hetimin e plotë të zgjedhjeve që finalizohet me hapjen e kutive, pasi sipas tij, hetimi i zgjedhjeve do ti japë fund krizës politike, ekonomike dhe sociale që ka mbërthyer vendin. “Qëndrimi ynë është i palëkundur. Dua të falënderoj edhe një herë tjetër mikun tonë, që rikonfirmoi një mesazh shumë të qartë të familjes evropiane, qoftë si mik dhe partner në familjen socialiste, e cila e ka theksuar vijimësisht që hapja e kutive është një pjesë e patjetërsueshme e një procesi transparence për të ardhmen, jo për të shkuarën, qoftë edhe si pjesë e Evropës institucionale që flet qartë përmes një mesazhi që kërkon transparencë dhe zgjidhje të pranuara nga të dyja palët”, - ka përfunduar Rama.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›