E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri, celularët në burgje, qershori afati i fundit

Autori i Lajmit: Redaksia

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani urdhëron pastrimin e të gjithë burgjeve të vendit nga celularët, dhe si afat të fundit ka lënë muajin qershor.
Nëpërmjet një qarkoreje të brendshme, e cila është bërë pjesë e planit të masave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministri i Drejtësisë kërkon nga sistemi penitenciar që deri në muajin qershor qelitë të pastrohen përfundimisht dhe asnjë i dënuar në asnjë burg të mos ti lihet telefon.
Urdhri
Duke lënë qershorin si afatin e fundit, Nishani kërkon në këtë urdhër të kontrollohen rigorozisht burgjet, në të kundërt, sipas tij, nëse më pas gjenden celularë do ketë direkt penalizime të drejtoreve të burgje. Kontrollet e rrepta kanë nisur fillimisht në qelitë e Lezhës, ku të disa të dënuar sipas Avokatit të Popullit kanë paraqitur ankesa për ushtrim dhunë gjatë kalimit në sitë të qelive ku ata mbahen. Sipas Avokatit të Popullit në fillim të javës do të ketë një rekomandim për dhunimin e katër të dënuarve në këtë burg. Por, nga ana e saj edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hartuar një plan masash që ua ka përcjellë që në fillim të vitit të gjitha burgjeve. Sipas këtyre masave nëse do gjenden celularë në qeli atëherë do të penalizohen direk me masa administrative policët që shërbejnë në sektorët përkatës.
Instalimi i një pajisjeje anticelular
Çështja e mbajtjes së celularëve nëpër qeli u tentua të zgjidhej pak vite më parë, kur në qelitë e 313 u eksperimentua instalimi një aparature që bllokonte valët e celularit në paraburgim. Por, pa kaluar shumë kohë banorët e zonës përreth si dhe gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës u ankuan se ishin prekur edhe ata nga këto masa, çka solli edhe dështimin e këtij projekti. Gjatë kontrolleve të shpeshta policia e burgjeve ka zbuluar dhjetëra mënyra se si arrinin të depërtonin celularët në qeli, mes të cilave fshehje në frigoriferë, në pult televizori, por edhe në ushqime. Pasi celularët futen në burg të dënuarit arrijnë ti fshehin aparatet duke gjetur mënyra nga më të çuditshmet që nga mbajtja e tyre në këpucë e deri në fund të dyfishtë.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›