E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenca e BE-së, “shuplakë” qeverisë: Ligji i dosjeve rrezikon integrimin



Eljona Ballhysa
Thellohet më tej përplasja e qeverisë shqiptare me institucionet ndërkombëtare për ligjin e ri të lustracionit. Gjatë ditës së djeshme “shuplaka” ka ardhur nga Presidenca e Bashkimit Europian, e cila ka kërkuar nga qeveria shqiptare të respektojë institucionet e pavarura dhe ta konsiderojë zhvillimin e një debati të gjerë politik për këtë ligj. Po dje, kundër ligjit të dosjeve është shprehur dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, i cili ka kërkuar moszbatimin e ligjit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Por pala shqiptare është shprehur e vendosur për të proceduar me ligjin, pavarësisht qëndrimit të ndërkombëtarëve. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një prononcimi për mediat, u shpreh se nuk do ta ndryshojë axhendën parlamentare. Në axhendën parlamentare është parashikuar që gjatë seancës së ditës së hënë të miratohen emrat e anëtarëve të Autoritetit të Verifikimit të Figurave, si institucioni më i lartë që krijohet për zbatimin e ligjit të dosjeve. Deklarata e Presidencës së BE-së për ligjin e dosjeve duket se është një ndër më të fortat drejtuar qeverisë shqiptare gjatë 18 viteve të pluralizmit politik në Shqipëri. Në deklaratë, midis të tjerave, theksohet se respektimi i këtyre standardeve është kusht për anëtarësimin e vendit në BE.
Deklarata
Në deklaratën zyrtare Presidenca e Bashkimit Europian vëren se ligji i ri i lustracionit rrit shqetësimet në disa aspekte, si në procedurë, ashtu dhe në përmbajtje. Sipas BE-së, konsultime të gjëra dhe konsensusi duhet të ishin prioritet i miratimit të ligjit. “Për këtë qëllim BE-ja inkurajon qeverinë shqiptare që të marrë në konsideratë shtrirjen ligjore dhe politike të ligjit të lustracionit. BE-ja nxit qeverinë shqiptare të sigurojë gjatë procesit të lustrimit pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në mënyrë të veçantë të Gjykatës Kushtetuese si dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve. BE-ja rekomandon se ligji duhet të përmbushë dispozitat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Në këtë kontekst BE-ja konsideron se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë në gjendje të marrë një vendim mbi kushtetutshmërinë e ligjit para se ai të fillojë zbatimin. BE-ja gjithashtu thekson rëndësinë e garantimit të një dialogu të gjerë politik”, - shkruhet në deklaratën e BE-së. Më tej Presidenca e Bashkimit Europian ka përsëritur gatishmërinë e asistimit të autoriteteve shqiptare me ekspertë të KE-së dhe të OSBE-së, të cilët janë të gatshëm t’u japin këshilla dhe asistencë autoriteteve shqiptare në gjetjen e mënyrave për të arritur objektivat legjitime që lidhen me të kaluarën, në përputhje të plotë me standardet në fuqi. “Duke marrë në konsideratë konkluzionet e Këshillit të Europës më 8 dhjetor 2008, BE-ja thekson rëndësinë e respektimit të shtetit ligjor, pavarësinë e sistemit gjyqësor si pjesë e kriterit politik, si kusht për pranimin në BE”, - përfundon deklarata e BE-së, duke theksuar se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet e ardhshme në Shqipëri për këtë çështje.
Qëndrimi
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, si numri dy i shtetit shqiptar në hierarkinë e posteve, gjatë një prononcimi për gazetarët në lidhje me shqetësimet e ndërkombëtarëve për ligjin e dosjeve, është shprehur se nuk do ta ndryshojë axhendën parlamentare. Ajo ka vënë theksin se nuk do të lejohet që anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, që kanë konflikt interesi, të shqyrtojnë ligjin e dosjeve, ndërsa i ka cilësuar normale shqetësimet e ndërkombëtarëve. “Fakti që shqetësimi është për ligjin e lustracionit tregon se në fakt, Shqipëria ka ndryshuar dhe ka pasur një progres të jashtëzakonshëm. Pra, të gjitha problemet e tjera që ne i kemi pasur në vite, i kemi lënë. Dhe fakti që vëmendja është te ky ligj i veçantë, që lidhet me një kufizim për një periudhë të shkurtër të së drejtës ‘për punësim’, për disa persona që kanë vrarë në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mua më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes së Shqipërisë. Axhenda parlamentare është axhendë parlamentare. Me sa di unë, Parlamenti po përgatit edhe një letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese për një fakt shumë të rëndësishëm, që ne të respektojmë një princip shumë të madh, që e respektojnë të gjitha gjykatat e botës, principin për shmangien e konfliktit të interesit. Domethënë, ai gjykatës që është në konflikt interesi nuk mund të marrë pjesë në gjykim. Ne jemi një shtet ligjor, ne respektojmë parimet e shtetit ligjor”, - është shprehur Topalli.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›