Krimet e Rënda, burg pa afat për 63-vjeçarin
20/02/2005 TIRANË- Alush Peza do të qëndrojë në burg pa afat deri në përfundim të hetimit, e më pas shqyrtimit gjyqësor. Vendimi u dha dje nga gjyqtari i Krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari, me kërkesë të prokurorit Behar Dibra. Akuza me të cilën erdhi në gjykatë 63-vjeçari, është ajo e kalimit të paligjshëm të kufirit dhe trafikim të qenieve njerëzore. Sipas organit të Prokurorisë, i pandehuri, në datën 7 dhjetor 2004, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, përkatësisht Mezin Tomaj dhe Maglen Velaj, pasi i kanë marrë një sasi të konsiderueshme parashë 9 personave, i kanë premtuar kalimin për në Itali. Të pandehurit me "gjahun" e tyre janë kapur në drejtim të zonës së Golemit. Ndërsa bashkëpunëtorët e Alushit janë kapur menjëherë pas ngjarjes, ky i fundit për mëse dy muaj ka arritur t'i shpëtojë policisë. Për Pezën, masa e arrestit ishte dhënë në mungesë. Ndërkohë që dje, ai vetëm sa u njoh me akuzën dhe masën e arrestit me burg pa afat. Për organin e akuzës, vepra penale e trafikut të qenieve njerëzore është tepër e rëndë. Të pandehurit kishin premtuar kalimin e 9 personave me gomone drejt Italisë, ndërsa ishin paguar jo pak për këtë veprim. Para gjykatës, edhe pse masa ishte dhënë gati dy muaj më parë, i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën. Ai është shprehur se policia nuk ka asnjë provë që të vërtetojë veprën e trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore. I pandehuri, nëpërmjet avokatit mbrojtës, ka pretenduar se shumë shpejt do të jetë i lirë. Policia arriti të parandalojë tragjedinë e radhës, vetëm pas një sinjalizimi të marrë nga persona, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.