Skandali i arkës së kursimit, mbyllet hetimi gjyqësor

20/02/2005 Mbyllet shqyrtimi gjyqësor për punonjëset e arkës së kursimit numër katër, të cilat në bashkëpumim me njëra–tjetrën arritën të përvetësonin brenda një periudhe kohore gati 300 milionë lekë. Prokurori Dritan Nushi ka dorëzuar në Gjykatën e Shkallës së Parë një seri provash shkresore dhe materiale, të cilat vërtetojnë vjedhjen e parave nga ana e arkëtareve në bashkëpunim. Sipas prokurorit, brenda vitit 2002, të pandehurit arritën të fshihnin faturat e shumë subjekteve. Kështu, personat që kalonin mallin dhe ishin të detyruar të derdhnin tatimet në bankë, shpesh merrnin faturën në dorë, por nga ana tjetër përballeshin me policinë tatimore. Pikërisht, kjo përballje ka dërguar në arkën e kursimeve Kontrollin e Shtetit. Sipas prokurorit, një nga subjektet ka patur faturën e marrë në arkën e kursimeve në dorë. Fatura kishte shifrën 8 milionë lekë. Ndërkohë që në bankë, kjo shifër nuk ishte e regjistruar dhe faturat nuk figuronin. Subjekti, tha prokurori, i është drejtuar policisë, duke pretenduar se i ka paguar paratë, ndërkohë që në bankë fatura e tij nuk pranohej. Pas këmbënguljeve të shumta, personi që i ishin zhdukur 8 milionë lekë të paguara është ankuar. Kontrolli, jo vetëm që ka kapur parregullsi dhe vjedhje të shumave të mëdha, por ka zbuluar edhe bashkëpunimin e punonjësve të arkës së kursimit. Kështu u zbuluan më shumë se 90 raste, kur subjektet paguanin paratë u jepeshin faturat, por kopjet e tyre zhdukeshin në bankë. Ndërsa në duart e subjektit shkonte një faturë, dy të tjerat, njëra e bankës dhe kopja që duhej të shkonte te tatimet, nuk figuronte. Skandali i arkës së kursimit zbriti në gjykatë. Gjyqtari Arben Kostandini është gati të përfundojë çështjen, ndërsa prokurori Dritan Nushi ka bërë gati konkluzionet përfundimtare. Sipas hetimeve të deritanishme nga organi i akuzës, humbja e mësipërme është cilësuar si vjedhje e kryer nga katër arkëtaret e degës nr.4 të kësaj banke, Liljana Menga, Violeta Mema, Eleni Gaci dhe Valbona Tirana.