E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, burg për të arrestuarit e “Ciklonit 4”

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda lë në burg të arrestuarit e “Ciklon 4”. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje se të arrestuarit janë njohur me masën e sigurisë duke u rikthyer sërish në qelitë e paraburgimit për akuzën e trafikimit të armëve. Të arrestuarit u ndaluan tri ditë më parë nga Drejtoria e Luftës kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda. Gjatë këtij operacioni u arrestua Glerjan Hyseni, 31 vjeç, lindur në Peqin dhe banues në Rushbull Durrës, me gjendje gjyqësore i padënuar, me arsim 8 klasë. Shkëlqim Gjoka, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me arsim të mesëm, me gjendje gjyqësore i padënuar. Adrian Moçka, 46 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me gjendje gjyqësore i padënuar, me arsim të mesëm, si dhe Hysen Hyka, 48 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me arsim të mesëm, i padënuar. Sipas Prokurorisë, arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve është bërë për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municionit dhe trafikim i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive”, - parashikuar nga Nenet 278/a/2 dhe 282/a/2 të Kodit Penal. Arrestimi u bë rreth orës 16:00 në vendin e quajtur Rushbull, Durrës. Të arrestuarit u prangosën në flagrancë duke trafikuar një sasi prej 9 minash me telekomandë, një armë zjarri tip snajper, një pistoletë tip “Browing” etj. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 9 mina me telekomandë me lëndë eksplozive, 9 aparate telefonike të tipit Nokia, me të cilat ishin të lidhura minat, 5 aparate telefonike të llojeve të ndryshme që ishin në posedim të të arrestuarve, një armë zjarri snajper tip Browing e prodhimit belg, një armë zjarri tip pistoletë me silenciator tip Browing, një automjet tip Volvo, me targa TR 4491 C, një automjet tip Benc, me targa TR 9778 J, si dhe 18 copë fishekë, të cilët janë për përdorim nga arma tip snajper.
Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohuan se po punohet për arrestime të tjera, pasi dyshohet se të arrestuarit kanë bashkëpunëtorë.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›