E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtabi i Përgjithshëm: “Mediu nuk na pyeti për ngritjen e fabrikës”

Reagon për herë të parë SHP-ja: Nuk kemi dhënë pëlqimin për armët në Gërdec. Gjeneral Spahiu dha detaje mbi kontratat e nënshkruara për çmontimin e municioneve
Laureta Rryçi

Tiranë - Shtabi i Përgjithshëm një javë pas tragjedisë së Gërdecit iu drejtua dje me një pyetje publike ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Përse ai miratoi “Gërdecin” pa mendimin e shprehur me shkrim nga SHP-ja dhe pa kundërfirmat përkatëse në dokument? Sipas përfaqësuesve të SHP-së, ky është dhe guri i themelit i kësaj fatkeqësie, gur që rrokullisjen e tij e filloi kur nga zyra e ministrit të Mbrojtjes iu dha përgjigje pozitive projektit të kompanisë SAC. Shtabi i Përgjithshëm ka reaguar njëkohësisht edhe ndaj akuzave të ish-ministrit Fatmir Mediu duke hedhur poshtë pretendimet e tij për sugjerimin e ngritjes së fabrikës në Gërdec. Në një komunikim zyrtar, zëdhënësi i SHP, nënkolonel Ali Ndreu, deklaroi se në ndryshim me qëndrimin e djeshëm të këshilltares politike të ish-ministrit të Mbrojtjes, SHP-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë i mendimit se vlerësimin për gjithçka ndodhi në Gërdec, në lidhje me përgjegjësitë ligjore të institucioneve por dhe të personave përgjegjës, duhet ta bëjnë institucionet e specializuara për këtë punë. Kjo deklaratë është reagimi i parë zyrtar në lidhje me fajësinë apo përgjegjshmërinë e ushtarakëve mbi tragjedinë e Gërdecit.
Reagimi
Përfaqësuesi i Shtabit të Përgjithshëm ka shpjeguar se lidhur me pretendimet e deklaratës për shtyp të dhënë dy ditë më parë ata tregojnë se specialistët e Shtabit nuk janë prononcuar për paraqitjen filmike të bërë nga përfaqësues të kompanisë SAC me një laptop në paradhomën e sekretarit të Përgjithshëm të MM dhe nuk ka informacion për faktin se cili institucion me cilin tagër i ka vlerësuar këto materiale në emër të palës shqiptare. Në qoftë se Ministri ka autorizuar një strukturë ose një person për ta bërë këtë, kjo nuk është përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm. Duke vazhduar më tej, sipas tyre, ka një keqinterpretim të qëllimshëm të pozicionit të SHP-së. Duke kundërshtuar ngritjen e një qendre të tillë në Bërzhitë, SHP-ja i ka shkruar ish-ministrit të Mbrojtjes si më poshtë: “Qendra për demilitarizimin e këtyre municioneve duhet të përzgjidhet nëpërmjet negociatave midis palëve, pasi rajoni i Bërzhitës nuk është i përshtatshëm dhe as i licencuar si për depozitim ashtu dhe për asgjësim municioni. Ky rajon ndodhet pranë rrugës nacionale Tiranë – Elbasan dhe nuk merret përsipër sigurimi i energjisë... Për municionet me moshë mbi 25 – 30-vjeçare që kalojnë në proces demontimi, në praktikën tonë baruti i tyre i nënshtrohet asgjësimit me djegie në natyrë”. Ky pozicionim tregon se SHP-ja nuk ka qenë palë në tratativat për realizimin e këtij projekti, madje ai është anashkaluar me paramendim pasi ka refuzuar implementimin e tij në rastin e Bërzhitës.
Përse u vendos Gërdeci
Mesa duket, argumentet që ka dhënë këshilltarja politike e Mediut nuk kanë hedhur dritë mbi çështjen. Sipas ushtarakëve, pas refuzimit të Bërzhitës zhvillimet kanë qenë më tepër të natyrës administrative dhe asnjë strukturë civile e ushtarake nuk ka paraqitur në Shtab ndonjë mendim në lidhje me vendin e ndërtimit të fabrikës. Vendosja e fabrikës në Gërdec ka qenë një vendim që ka anashkaluar autoritetin ligjor të Shtabit dhe kjo duket dhe në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes që cakton vendin e ndërtimit të fabrikës. Në këtë urdhër, që nuk u paraqit në shtab as si draft, nuk ka asnjë sigël të Shtabit. “Edhe një herë Shtabi nuk ka qenë palë në këtë vendimmarrje. Në fakt duhet thënë se ky vendim ka qenë vendimtar për vazhdimin e procesit deri në ndodhjen e aksidentit, pasi përcaktoi vendin e ndërtimit të kësaj fabrike”, - deklaroi dje nënkoloneli, Ali Ndreu. Ndërkohë, gjenerali Shpëtim Spahiu për pesë orë me radhë ka dhënë deklaratat e tij në lidhje me këto argumente në Prokurorinë e Tiranës. Përsa i përket kontratës, Ndreu ka sqaruar se historia e saj fillon me variantin prokurim i drejtpërdrejtë me kompaninë dhe më pas në variantin e dytë të kësaj VKM-je, përfaqësuesit e Shtabit kanë firmosur vetëm në relacionin shoqërues për Ministritë e tjera. Por, nënkoloneli u ka kujtuar dhe institucioneve se duhet të hetojnë nëse ministri e ka shmangur SHP-në mbi urdhrin që përcaktoi vendin për ndërtimin e fabrikës. Përse ky urdhër ka kaluar vetëm përmes drejtorive të MM dhe jo të SHP-së? Ndërsa vazhdimësia e procesit me kontratën e dytë ishte logjikisht vazhdim i punës në të njëjtin vend, për më tepër kur kjo praktikë i është drejtuar Shtabit me shënimin “Për Veprim” kuptimin e kësaj shprehje e njeh mirë çdo ushtarak në Forcat e Armatosura. “Gjithashtu duam të theksojmë se asnjë lloj vizite i kujtdo autoriteti ushtarak apo civil sado i lartë qoftë nuk kupton dhënien e certifikimit të asnjë aktiviteti. Certifikimi bëhet me rregulla e autoritete të veçanta të përcaktuara po me ligj”, - ka sqaruar Ndreu.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›