E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave: “Nuk ka mbajtje page për buxhetorët”

Ministria e Financave ka saktësuar për të gjithë punonjësit buxhetorë se në asnjë rast nuk do të ketë për ta mbajtje page në masën 10 për qind. Nëpërmjet një informacioni për mediat, Ministria e Financave ka dashur të përgënjeshtrojë informacionin e shpërndarë dje në disa media se, “punonjësve buxhetorë do t’u ndalohet 10 për qind e pagave me qëllim mbledhjen e kontributeve për ngjarjen e Gërdecit”. Duke theksuar se derdhja e kontributeve është një iniciativë dhe angazhim personal për çdo shtetas, Ministria gjen rastin të kujtojë se qeveria ka hapur numra llogarie zyrtare në Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë për dhënien e ndihmave nga çdo individ dhe institucion privat apo publik sipas dëshirës. Ministria e Financave përshëndet të gjitha ato banka dhe media që po bëjnë sensibilizimin e opinionit publik dhe kanë kontribuar edhe vetë në numrat zyrtarë të llogarive të hapura nga qeveria për këtë qëllim.

BSH-ja, javën e ardhshme miratohet programi vjetor

Banka e Shqipërisë do të zhvillojë javën e ardhshme mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të saj ku do të diskutojë dhe miratojë projektin “Raporti Vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2007”. Sipas burimeve të BSH-së, gjatë kësaj mbledhjeje Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore do të marrë në shqyrtim edhe projektrregulloren ”Për sistemin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja”, “Mbi inspektimet e kryera nga Departamenti i Mbikëqyrjes në periudhën korrik-dhjetor të vitit 2007”.
Gjithashtu, në rend të ditës janë parashikur për shqyrtim edhe informacionet, “Mbi ecurinë e sektorit të jashtëm të ekonomisë shqiptare për vitin 2007”, “Mbi zhvillimet e fundit ekonomike e monetare dhe marrja e vendimit të politikës monetare” dhe “Për miratimin e bilancit dhe të shpërndarjes së fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2007”.

25 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›