Krimet e Renda kerkojne 20 vjet burg per trafikantin
Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurit Hysni Sokolaj për veprën penale të “Trafikimit të femrave për prostitucion”, parashikuar nga neni 114/b-3 të Kodit Penal në dëm të shtetases E.V dhe dënimin e tij me 20 vjet burg dhe 8 milionë lekë gjobë. Po ashtu, prokurori Eugen Beçi i kërkon gjykatës që i pandehuri ta kryejë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Sipas prokurorisë, më 16.07.2001 E.V është larguar me shtetasin Hysni Sokolaj me gomone nga qyteti i Vlorës për në Itali. Në Itali ka shkuar fillimisht në qytetin e Leçes e më pas kanë kaluar për në Francë dhe më pas në Belgjikë, në qytetin e Anversës. Atje janë sistemuar në shtëpinë e një shokut të Hysniut. Ky i fundit i ka thënë E.V të dilte të punonte si prostitutë në rrugë së bashku me vajzën që shfrytëzonte shoku i tij. E dëmtuara e ka kundërshtuar, por pas torturave ka pranuar të ushtrojë prostitucion nën dhunën fizike të Hysni Sokolajt.