Krimet e Rënda, lejuan 583 përgjime celularësh në vit
Armand BajramiGjykata për Krimet e Rënda ka lejuar përgjimin telefonik të 583 personave gjatë vitit 2009. Shifra, e cila në vetvete përbën rritje krahasuar me një vit më parë, është bërë prezente dje nga kryetari i kësaj gjykate, Dritan Hallunaj. Kreu i Krimeve të Rënda u shpreh se aktualisht mbizotëruese në gjykatë janë çështjet e trafikut të narkotikëve, ndërsa është ulur numri i dosjeve për trafikun e klandestinëve. Gjatë prezantimit analizës së punës së Gjykatës për Krimet e Rënda për vitin 2009 gjyqtari Hallunaj përmendi arritjet dhe “pikat e dobëta” të gjykatës ku gjykohen “të fortët” e krimit. Edhe njëherë dje Hallunaj etiketoi avokatët si shkaktarë të zvarritjeve të proceseve gjyqësore te Krimet e Rënda. Po ashtu shkak i vonesave në shqyrtimin e çështjeve u theksua se janë edhe problemet e lindura nga mosekzekutimi i letër-porosive jashtë Shqipërisë. Ndër të tjera gjyqtari Hallunaj theksoi cenimet që i janë bërë vendimeve të Gjykatës për Krimet e Rënda nga shkallët më të larta të Gjyqësorit, Apeli i Krimeve të Rënda dhe Gjykata e Lartë. Sipas Hallunajt, probleme këto të lindura nga interpretime të ndryshme të dispozitave të njëjta ligjore.ANALIZANjë minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Xhelal Elezi, që ndërroi jetë pak ditë më parë, parapriu dje prezantimin e analizës së punës së vitit 2009, te Krimet e Rënda. Duke konsideruar një vend të rëndësishëm në punën e gjykatës që ai drejton, shqyrtimit të kërkesave të fazës së hetimeve paraprake, gjyqtari Hallunaj tha dje se për vitin 2009 te Krimet e Rënda janë shqyrtuar 583 kërkesa për lejim përgjimesh. Ndërkohë që nga një total prej 991 çështjesh të regjistruara në gjykatë, janë përfunduar 58 për qind e tyre. Gjyqtari Hallunaj vlerësoi shqetësues faktin cenimit të një numri të konsiderueshëm vendimesh të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, si edhe nga Gjykata e Lartë. Kryetari Hallunar radhiti shtatë shkaqë që, sipas tij, çojnë në prishjen e vendimeve nga shkallët më të larta të Gjyqësorit. Në këto shkaqe, Hallunaj përmendi interpretimin e ndryshëm të dispozitave procedurale mes të cilave ato që “rregullojnë njoftimin e të pandehurve që gjykohen në mungesë”, “sigurimin e provës”, “përjashtimet nga detyrimi për të dëshmuar”, “konceptimin e ndryshëm të bashkëpunimit”, si edhe probleme të lindura nga mosekzekutimi i letër-porosive ndërkombëtare.Për problemin e zvarritjeve të proceseve gjyqtari Hallunaj cilësoi si shkak kryesor “mungesat e avokatëve mbrojtës, si edhe ndërrimet e shpeshta të tyre”. Gjithashtu, shkak i vonesave në gjykim u vlerësuan prej tij ekzekutimi i letër-porosive. “Nuk janë të pakta proceset gjyqësore, përfundimi i të cilave varet nga përgjigjet e letër-porosive”, u shpreh Hallunaj. Kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Olsian çela vlerësoi dje punën e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Por, sipas tij, problematike shikohet mos përfundimi i disa proceseve që prej Prokurorisë konsiderohen më të rëndësishmet. çështje të shqyrtuaraKërkesa për Gjykim (çështje themeli) 136Masa sigurimi 181 Kërkesa për sekuestro në bazë të LPGKO 18Kërkesa për lejim përgjimesh 583Kërkesa të tjera penale 73Spahiu: Pa siguri, gjyqtari s‘jep drejtësiTIRANE – Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ritheksoi dje në analizën vjetore të Krimeve të Rënda, se një pjesë e kërkesave të Bashkimit Evropian janë standardet e kërkuara në sistemin gjyqësor. Pasi përshëndeti arritjet e kësaj gjykate, Spahiu nënvizoi disa problematika, që sipas tij diktoheshin në këtë gjykatë. Numri dy i KLD-së ftoi dje gjyqtarët e Krimeve të Rënda të jenë të kujdesshëm për reputacionin e tyre. “është e papranueshme që gjyqtarë të kësaj gjykate të bëhen shënjestra të hetimit apo akuzave ndaj tyre, derisa të detyrojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë të shkojë në heqje imuniteti”, tha Spahiu. Po dje Spahiu tha se “Pushteti Gjyqësor dhe Gjykata e Krimeve të Rënda përballen me sfida qe kërkojnë domosdoshmërisht ndryshime në legjislacionin shqiptar që duhet të reflektohen në kodet bazë”. Ashtu si përmendi edhe një ditë më parë në analizën e Gjykatës së Tiranës, nënkryetari i KLD-së përmendi nevojën e sigurisë për gjyqtarët. “Nëse nuk ka siguri për gjyqtarin, ai nuk mund të japë drejtësi”, tha Spahiu. a.b