E Diel, 1 Nëntor 2026

Merren masat për furnizimin me medikamente të Kirurgjisë

QSUT

Furnizimi me medikamente në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë po shkon drejt përmirësimit.

Drejtoria e QSUT-së bëri të ditur përmes një njoftimi për shtyp se aktualisht është siguruar plotësisht aktiviteti normal i të gjitha shërbimeve të urgjencës, përfshirë këtu edhe Kirurgjinë dhe stafi drejtues aktual, së bashku me administratën, po punojnë pa ndërprerje për normalizimin e punës në spital. Gjendja jonormale e krijuar kohët e fundit, cilësohet në njoftim, është pasojë e administrimit joefiçent të procedurave të prokurimit të medikamenteve dhe është e trashëguar nga stafi i mëparshëm. Drejtoria e QSUT-së, nëpërmjet njoftimit, siguron opinionin publik se në asnjë moment nuk ka munguar shërbimi i Urgjencës në QSUT. Në të njëjtën kohë, administrata e QSUT-së po punon për prokurimin me procedura të përshpejtuara, konform ligjeve në fuqi, për të gjithë gamën e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore të nevojshme për mbarëvajtjen e punës në spital.

“Në këtë drejtim kemi pasur bashkëpunim dhe ndihmë nga spitalet e tjera, si Spitali Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, Spitali Qendror Ushtarak etj., dhe po punojmë për sigurimin e ndihmave edhe më gjerë”, - vlerëson Drejtoria e Përgjithshme e QSUT-së. "Gjendja në shërbimin e Kirurgjisë do të normalizohet brenda një kohe shumë të shkurtër edhe në drejtim të operacioneve të planifikuara", - përfundon njoftimi i drejtorisë së QSUT-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›