E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malazezët takim me policinë shqiptare për “bombat“ me celular

21/04/2005  Përfaqësues të policisë së Malit të Zi kanë patur një takim bashkëpunimi me homologët shqiptarë rreth hetimit të trafikut të lëndëve plasëse. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Metropol“ nga burime pranë Ministrisë së Rendit, të cilat sqaruan se disa ditë më parë, dy përfaqësi të drejtësisë së të dy vendeve kanë diskutuar dhe kanë shkëmbyr informacioen e prova për këtë trafik. Burimet thonë se policia malazeze ka vënë në dispozicion të gjithë informacionin e hetimit të kryer atje. Nga këto informacione është hedhur dritë rreth vendit të prodhimit të “bombave“ me cellular, që kanë qenë armët e preferuara në disa atentate kohët e fundit në Shqipëri. Kështu mësohet se ky trafik ka kohë që ekziston dhe se lënda plasëse e llojit C4 përgatitej në Mal të Zi. Burimet theksojnë se ato përgatiteshin nga specialistë malazezë të shpërthimeve, të cilët i vinin në dispozicion të trafikantëve. Këta të fundit i tërhiqnin dhe transportonin në vende të ndryshme në bazë të kërkesave të blerjeve. Burimet thonë se nga hetimet rezulton se Shqipëria nuk është i vetmi vend ku janë përdorur këto lloj bombash me telekomandë dhe se prej këtej ato trafikoheshin edhe në vende të tjera të rajonit. Ndërkaq, burimet sqarojnë se dosja hetimore për këtë çështje i ka kaluar prej disa ditësh Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nisur nga ky hetim, Prokuroria e Krimeve të Rënda po verifikon të gjithë blerësit shqiptarë të kohëve të fundit, me qëllim identifikimin e ndonjë personi të dyshuar në implikimin e dy shpërthimeve në Tiranë. I pari, atentati ndaj biznesmenit Vajdin Lame dhe, i dyti, atentati i dështuar te “Don Bosko“, ku mbeti i vdekur vetë autori Enver Rabiaj. Pas një blerje të stimuluar nga policia shqiptare disa javë më pare, u arrestuan pesë trafikantë të lëndëve plasëse, ndërmjet tyre edhe një malazes. Ata janë; Branko Raiçeviç, Sandër Gjinaj, Mirash Dushku,

Rrok Pepaj dhe Altian Saloviç. Gjithashtu u sekuestruan edhe 6 copë eksploziv C4 të modifikuar, ku ishin montuar 6 celularë të markës “Sony Erikson” për të realizuar shpërthimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›