Tepelenë, sekuestrohen 11520 fishekë
Zbulohet dhe sekuestrohet një arsenal fishekësh pranë fshatit Dukaj të Rrethit të Tepelenës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se dje, rreth orës 08:00, forcat e policisë së Komisariatit të Tepelenës, mbështetur edhe në një informacion të marrë në rrugë operative, kanë mundur të sekuestrojnë 11520 fishekë në një vend pranë fshatit Dukaj të Rrethit Tepelenë. Sasia e municioneve është gjetur në anë të një rruge në dalje nga fshati Dukaj për në mal. Municioni i sekuestruar ndodhej në disa arka druri, ku brenda tyre kishte arka metalike të mbushura me fishekë luftarakë. Gjetja është bërë pasi në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forcat e grupit të gatshëm, të cilat sipas informacionit kanë gjetur në anë të rrugës arkat e fishekëve. Fishekët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe po punohet nga ana e policisë së Tepelenës për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
#