E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trageti Vlorë-Brindizi, s’vjen, udhëtarët presin më kot në port

16/04/2005  Asnjë njoftim paraprak

VLORË - Dhjetëra udhëtarë, të përgatitur për lëvizje nga Vlora drejt Italisë, janë kthyer mbrapsht, pa u kujdesur kush për dëmet që iu ka shkaktuar ky kthim. Kjo ka ndodhur për shkak se në Portin e Vlorës dje nuk ka patur asnjë traget të linjës Vlorë- Brindizi. Për këtë nuk ishte dhënë asnjë njoftim më parë.

Sipas burimeve portuale, dy tragetet e linjës së lartëpërmendur janë larguar për të kryer disa shërbime teknike, shërbime këto të paprogramuara më parë. Ndryshimi i kursit të dy tragetëve ka sjellë paralizimin e lëvizjes së qytetarëve, por edhe të biznesit vlonjat në marrëdhënie me atë të Italisë.

Të ndodhur para këtij fakti, mjaft qytetarë kanë ngelur pa shkuar drejt Italisë si dhe kamionave që operojnë në jugun e Italisë iu është dashur që lëvizjet e tyre t’i realizonë nëpërmjet portit të Durrësit. Si pasojë qytetarët tregojnë se kanë shpenzuar mjaft më tepër të holla.

Nuk është hera e parë që tragetet e linjës me Italinë të pezullojnë përkohësisht lëvizjen pa paralajmëruar qytetarët. Për një defekt, apo për riparime të zakonshme të mjetit lundrues ndërpritet lëvizja dhe qytatarët e marrin vesh lajmin kur hyjnë në port. Ngjarje të tilla kanë ndodhur dhe më parë jo vetëm në portin e Vlorës, por edhe në atë të Durrësit, ku fluksi i qytetarëve drejt Italisë është më i madh.

Autoritetet e porteve tregojnë se nuk kanë asnjë mundësi për të ndërhyrë në punët e agjencive të udhëtimit, të cilët duhet të jenë korrekt me udhëtarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›