E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zyrat e gjendjeve civile të mos bllokojnë procesin”

11/04/2009  Ministri Nishani paralajmëron pezullimin e punonjësve

Qeveria shqiptare, e gjendur përballë domosdoshmërisë për përfundimin në kohë të procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, ka urdhëruar përmes ministrit të Brendshëm tu bëjë thirrje punonjësve të zyrave të gjendjeve civile që të shpërndajnë certifikata edhe pa u paguar taksa e bashkisë. Bujar Nishani ka deklaruar dje gjatë një konference për shtyp se do të marrë masa administrative ndaj punonjësve. “Asnjë punonjës i zyrave të gjendjes civile të mos kushtëzojë dhënien e certifikatës me pagesat e taksave lokale. Në çdo rast që do të identifikohet kjo praktikë ndaj punonjësit të gjendjes civile do të merret masa administrative e pezullimit nga puna”, - theksoi ai. Pushteti vendor përmes vendimeve të tij nuk i pajis qytetarët shqiptarë me certifikata, një mjet i domosdoshëm ky për aplikimin me karta identiteti, nëse më parë ata nuk paguajnë taksën e bashkisë, që ka vlerën e 4300 lekëve. Në këtë mënyrë, çdo qytetar, pavarësisht mundësive ekonomike, duhet të përballet fillimisht me detyrimin nga bashkisë në vlerën 4300 lekësh dhe më pas me vlerën prej 1200 lekësh për të pasur kartën e identitetit. Po dje numri një i Ministrisë së Brendshme u kujtoi qytetarëve që nuk kanë pasaportë dhe që përfitojnë nga ulja e çmimit të kartës se kanë afat edhe 20 ditë. “Do tu bëj përsëri thirrje qytetarëve që nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit të paraqiten sa më parë për të aplikuar, pasi ulja e çmimit nga qeveria për kategoritë që kemi përcaktuar është e vlefshme deri në fundin e muajit prill, më pas ata nuk do ta përfitojnë uljen dhe të tjerët do të kenë sanksionet që ne kemi parashikuar, që do të thotë se nuk do të marrin asnjë shërbim që u duhet nga zyrat e shtetit”, - tha ai. Përmes një komunikimi të shkurtër mediatik ai informoi se zyrat e aplikimit për letërnjoftimin elektronik do të jenë të hapura edhe gjatë ditës së shtunë dhe të diel dhe se gjatë të gjitha ditëve ato do të punojnë deri në orën 18:00, për tu dhënë kështu të gjithë mundësinë qytetarëve pa pasaportë për të aplikuar për letërnjoftimin. Ndërkohë paraditen e djeshme komisioni i posaçëm ad hoc zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura me numrin dy të Ministrisë së Brendshme Ferdinand Pone, i cili i informoi për ecurinë e deritanishme të procesit. “Sistemi i kartave të identitetit është i shtrirë në të gjithë vendin dhe punon me kapacitet të plotë. Sot kemi në punë mbi 410 stacione aplikimi në të gjithë vendin, në gati 300 njësi vendore, që mundëson realizimin e një numri më të lartë aplikimesh. Në Tiranë nga 80 mijë shtetas të evidentuar pa pasaportë më shumë se 60 mijë prej tyre tashmë kanë aplikuar. Po ashtu sistemi i shpërndarjes funksionon kënaqshëm. Afati kohor për aplikimin për kartë dhe shpërndarjes së saj llogaritet në rreth dhjetë ditë”, - tha zëvendësministri Pone.

Fatos Hoxha (PD)

Maxhoranca ka hedhur poshtë në mënyrë absolute mundësinë e dështimit të procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime. Përfaqësuesi i PD-së në komisionin e posaçëm parlamentar për infrastrukturën zgjedhore Fatos Hoxha akuzoi kreun e PS-së Edi Ramën për sabotim të procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. “I bëj thirrje të mos u prishë festën shqiptarëve, pasi 28 qershori do të jetë certifikata e tyre për anëtarësimin në BE”, - tha Hoxha.

Kastriot Islami

Pajisja me karta, situata alarmante

“PS-ja në asnjë rast nuk do të lejojë ndryshimin e fitores së saj në 28 qershor 2009 përmes manipulimit selektiv me kartat e identitetit. PS-ja ka kërkuar dhe është krejtësisht e përgatitur dhe e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet më 28 qershor”, - është deklaruar nënkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për infrastrukturën zgjedhore, Kastriot Islami. Ai tha se gjendja është alarmante dhe përsëriti kërkesës e PS-së për heqjen e taksës së votimit, që sipas tij po shkatërron elementin kohor dhe po ezauron kapacitetet. I pyetur mbi mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, Islami është përgjigjur duke thënë: “Nuk mund të futem në mendime hipotetike. Ne jemi të angazhuar për datën 28 qershor dhe ky vlerësim, nëse do të ndodhte, kjo pyetje duhej ti bëhet kryeministrit nëse pranon dështimin se si bën dot kartat, të thotë cila është zgjidhja tjetër.”

Ferdinand Poni (qeveri)

Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Pone, ndonëse pohoi se procesi i aplikimit për kartat e identitetit po ecën me ritme të kënaqshme, ripërsëriti thirrjen që qytetarët të aplikojnë për këto dokumente. Në mënyrë të veçantë ai u bëri thirrje edhe lidershipit të partive politike. “Do ti kërkoja lidershipit të partive politike tu bëjnë thirrje simpatizantëve të tyre që të shkojnë e të aplikojnë për karta dhe më pas ti tërheqin ato nga zyrat e shpërndarjes së njësive vendore”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›