E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje me armë me trafikantët e drogës, plagosen 2 policë

11/04/2009  Ngjarja në Bratosh, arrestohen tre të rinj. Efektivët e policisë, në spital jashtë rrezikut

MALESI E MADHE- Kultivimi i bimëve narkotike canabis sattiva është bërë shkak i konfrontimit me armë zjarri ndërmjet policisë dhe kultivuesve të bimës së ndaluar në një nga zonat problematike malore të rrethit Malësi e Madhe. Kjo ka çuar në plagosjen e 2 policëve dhe më as prangosjen e 3 shtetasve, kushërinj me njëri-tjetri.

Operacioni

Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës, gjatë orëve të vona të natës së të enjtes në fshatin Vuçaj të Bratoshit të rrethit Malësi e Madhe është organizuar një aksion nga oficerët e policisë së kësaj drejtorie me qëllim goditjen e kultivuesve të bimëve narkotike. Të njëjtat burime zyrtare sqarojnë se plani operacional kishte si qëllim goditjen e personave, të cilët merren me trafikimin e lëndëve narkotike, cannabis sattiva dhe kapjen e tyre, në aksin rrugor Vuçaj – Bratosh. Për këtë qëllim grupi policor i punës ka ngritur një pritë sekrete për kapjen në flagrancë të autorëve. Gjatë këtij aksioni punonjësit e policisë janë përballur me persona të armatosur, të cilët i kanë kundërshtuar me armë zjarri. Të dyshuarit për kultivim të bimëve narkotike kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë, pavarësisht thirrjeve të bëra nga ana e tyre për dorëzim në organet e rendit. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Policisë së qarkut të Shkodrës sqarojnë se gjatë përpjekjes për kapjen dhe neutralizimin e kultivuesve të bimës së ndaluar narkotike janë dëmtuar dy efektiva të policisë, Ardit Çekreku dhe Hilmi Gjonaj, të cilët më pas janë dërguar për mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës. Këta efektivë policie janë dëmtuar gjatë përleshjes trup me trup me kultivuesit e bimës narkotike cannabis sattiva. Kanë qenë pikërisht këto forca policie, të cilat duke hasur rezistencën e kultivuesve, kanë kërkuar ndihmën e strukturave përkatëse policore. Në vendngjarje kanë shkuar fugonat e policisë, me efektivat përkatës, të cilat pavarësisht kundërshtimin të personave të armatosur, kanë bërë të mundur neutralizimin e tyre, bllokimin dhe sekuestrimin e tre armëve të zjarrit: 2 automatikë dhe 1 pushkë, 7 kilogram e 700 gram lëndë narkotike cannabis sattiva. Ndërkohë u bë e munduar kapja në flagrancë e shtetasve Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj, Mondi Vuçaj, kushërinj me njëri-tjetrin. Pas kësaj ngjarjeje, në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Shkodër është ngritur një grup i posaçëm pune, i cili po kryen veprimet e duhura hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e plotë të ngjarjes në fjalë. Burimet policore shprehen se zona e Bratoshit kishte rreth një javë që mbahej nën vëzhgimin e bluve, pasi kishte informacione se kishte persona që po përgatiteshin për trafikim të bimëve narkotike. Të njëjtat burime sqarojnë se edhe pas kapjes së tre vëllezërve Vuçaj aksioni policor kundër trafikimit të bimës së ndaluar do të zgjasë edhe 4 ditë të tjera, gjatë të cilave do të "krihet" e gjithë zona e Bratoshit.

PËRLESHJA

Rreth orës 22: 30 të së enjtes, tre vëllezërit Vuçaj po udhëtonin me mjetin e tyre në aksin rrugor Vuçaj –Bratosh, kur kanë ndeshur në kontrollin policor që po mbante prej ditësh nën vëzhgim këtë zonë. Patrulla policore ka kërkuar ndaljen e mjetit, por ata i janë përgjigjur kësaj kërkese me krisma armësh. Deri në orën 01:30 të ditës së premte, blutë kanë mbajtur nën kontroll me shkëmbim zjarri mjetin e personave të dyshimtë, ndërkohë që kishin lajmëruar dhe drejtorinë për ngjarjen ku ishin përfshirë. Pas lajmërimit për në vendngjarje janë nisur dhe efektivat e FNSH-së si dhe drejtori i policisë së shtetit Ahmet Prençi. Tre personat që po kundërshtuan policinë kanë kërkuar të dorëzohen vetëm kur u janë mbaruar fishekët, por gjatë dorëzimit të tyre ata janë përleshur me dy efektivat që patrullonin zonën. Gjatë kësaj përleshje trup me trup, mbetën të plagosur dy efektivat e policisë si dhe njëri prej shtetasve Vuçaj, i cili ishte përplasur me kokë në një shkëmb gjatë përleshjes me policët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›