E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimi kibernetik, hackerat vjedhin bashkinë e Elbasanit

03/08/2011  Zhduken shuma të mëdha nëpërmjet veprimeve financiare on-line

Grabitet llogaria e Bashkisë së Elbasanit. Hakersat kanë arritur të manipulojnë të dhënat në emër të institucioneve të tjera në marrëdhënie me institucionin vendor. Mësohet se gjithçka është bërë nëpërmjet një banke të vogël të nivelit të dytë, ku ka llogari institucioni vendor. Burime të sigurta bëjnë të ditur se një hacker ka mundur të hyjë në faqen e llogarisë së Bashkisë së Elbasanit dhe ka kryer operacione financiare nëpërmjet thesarit, duke përfituar shuma të mëdha të hollash. Fakti është zbuluar kur nga verifikimet e kryera në dokumentacion e shifra nuk ka pasur rakordim mes institucioneve përkatëse. Nga hetimet paraprake rezulton se hackeri i dyshuar është punonjës i një banke të nivelit të dytë në Elbasan. Madje, burime hetimore pohuan se kanë zbuluar edhe bankën dhe janë shumë pranë gjetjes së autorit. Çështja po ndiqet nga Ministria e Financave, e cila ka depozituar një kallëzim penal. Forma e veprimit mendohet të ketë qenë e tillë: hackeri ka ndërhyrë në faqen e bashkisë dhe ka komunikuar me thesarin, i cili nga ana e tij e ka konsideruar të rregullt transaksionin, pasi gjithçka ka rezultuar e rregullt. Pirati kibernetik ka mundur të gjejë ose fshijë kodet dhe elementet e sigurisë së faqes dhe më pas ka kryer veprimin financiar sikur të ishte punonjës i bashkisë. Dyshohet se hackeri në fjalë ka ndërhyrë edhe në faqet e institucioneve të tjera që kryejnë transaksione me thesarin. Nga ana e saj Bashkia e Elbasanit e ka pranuar faktin e vjedhjes on-line. I pyetur rreth kësaj çështjeje, kryetari i bashkisë Qazim Sejdini u shpreh se “çështja po ndiqet nga Ministria e Financës, por edhe bashkia do të depozitojë një kallëzim penal për pirateri dhe krim kibernetik”. Ende nuk bëhet e ditur shuma që i është vjedhur Bashkisë së Elbasan nga pirati i internetit. Gjithsesi, tashmë institucionet shqiptare duhet të marrin masat mbrojtëse ndaj këtyre sulmeve jo vetëm për faqet on-line, që shërbejnë për reklamimin e punës së tyre, por dhe për llogaritë bankare dhe veprimet financiare që kryejnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›