E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëqëllohet pasi kërcënoi familjarët me automatik

03/08/2011  Policia: 70-vjeçari kishte konsumuar alkool

Shkon në gjendje të dehur në shtëpi, por përfundon duke kërcënuar djemtë dhe madje vetëqëllohet me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në një shtëpi njëkatëshe në lagjen “Qemal Stafa” të qytetit të Elbasanit, kur një 70-vjeçar, pasi kishte konsumuar alkool, ka marrë automatikun dhe ka kërcënuar familjarët. Këta të fundit kanë njoftuar policinë dhe pas disa negociatave 70-vjeçari nuk e ka dorëzuar armën, por është vetëqëlluar dhe më pas ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Burime të policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se 70-vjeçari T. M., banues në lagjen “Qemal Stafa”, në oborrin e shtëpisë së tij në këtë lagje ka kërcënuar me armë familjarët e tij, të gjendur në atë kohë në shtëpi. Këta të fundit kanë gjetur mundësinë të telefonojnë policinë, pasi nuk kanë mundur t’ia heqin nga dora armën të moshuarit. Kur ka mbërritur policia, është negociuar që ai të dorëzojë automatikun, por i moshuari, që dyshohet të ishte pre e efektit të alkoolit, në gjendje të tillë ka shkrepur automatikun në drejtim të vetes dhe është plagosur. Menjëherë ai është dërguar nga efektivat në spitalin kirurgjik, ku mësohet se gjendja e tij është ende e rëndë. Policia ka sekuestruar automatikun pa leje. Aktualisht kanë nisur hetimet për veprën penale të vetëvrasjes, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal. 70-vjeçari jetonte me dy djemtë e tij, të cilët ishin të martuar. Ndërkohë bashkëshortja ishte tek të afërmit e saj në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›