Krimineli i Bosnjës pretendon se nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme për t‘u mbrojtur
Lideri i serbëve të Bosnjës gjatë luftës famëkeqe, Radovan Karaxhiç, e ka bojkotuar fillimin e gjykimit të tij në lidhje me akuzat për kryerjen e disa prej krimeve dhe gjenocideve më të rënda në Europën e pasluftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, vendimit të Karaxhiçit për të mos u paraqitur, gjykatësit i kanë kundërvënë atë të vazhdimit të gjykimit edhe pa praninë e të akuzuarit. Karaxhiç ka mohuar 11 akuzat e bëra ndaj tij, përfshi edhe atë të realizimit të rrethimit 43-mujor të Sarajevës dhe vrasjen e 8000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë. Gjykatësi, pasi priti Karaxhiçin për 15 minuta e shtyu seancën për sot. Seanca do të fillojë me fjalën e prokurorëve, të cilët do të parashtrojnë të gjitha akuzat. Për të afërmit e viktimave të Bosnjës, sjellja e Karaxhiçit është një maskaradë e vërtetë dhe ai duhet sjellë me pizhame në bankën e të akuzuarit. Vendi ku duhet të ishte dje Karaxhiç është ai ku për 4 vjet u ul Millosheviçi gjatë seancave të gjykimit të tij. Ky gjykim nuk arriti të përfundonte, pasi Milosheviç vdiq ndërkohë. Beteja e djeshme në gjykatë të sjell ndërmend atë të zhvilluar mes Millosheviçit dhe gjykatësve, pasi edhe ai ndoqi të njëjtën taktikë për të fituar sa më shumë kohë. Karaxhiç nga ana e tij pretendon se mbrojtjes së tij nuk i është dhënë koha e duhur për të përgatitur gjithçka dhe ai kërkoi 10 muaj shtesë në këtë përgatitje. Sipas gjykatësit të çështjes ka rrethana kur një gjykim mund të vazhdojë edhe në mungesë të të akuzuarit. Karaxhiç ka deklaruar se ai do të marrë pjesë vetëm kur të jetë gati me materialet e tij. Gjykimi shumë i komplikuar pritet që të zgjasë disa vjet dhe të përfshijë në të qindra dëshmitarë. Dokumentet e gjyqit i kalojnë të 1 milion faqet. Gjatë luftës së Bosnjës u vranë rreth 100 mijë civilë, të cilët një pjesë e këtyre viktimave ishin pasojë e politikës dhe gjenocidit të ideuar dhe ekzekutuar nga lideri i serbëve të Bosnjës, Karaxhiç. Ky i fundit ka kërkuar imunitet ndaj këtyre akuzave duke thënë e përsëritur vazhdimisht se a ka bërë një marrëveshje sekrete me Riçard Hollbrukun, ish të dërguarin amerikan për Bosnjën. Sipas Karaxhiçit, në këtë marrëveshje, ai ishte siguruar se nuk do të burgosej e penalizohej, nëse do të tërhiqej nga jeta publike. Hollbruk i ka mohuar pretendime të tilla.