E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriporja e Vlorës, Ruli anulon tenderin

Pas publikimit të disa shkeljeve, që kishin shoqëruar tenderin për dhënien me koncesion të Kripores së Vlorës, Ministria e Ekonomisë ka vendosur anulimin e të gjitha procedurave të mëparshme, duke njoftuar rifillimin e garës nga e para.

Lajmi mësohet nga burime zyrtare pranë Ministrisë, ku, sipas të cilëve, ministri Ruli, pas konstatimit të shkeljeve në tender, urdhëroi anulimin e koncesionit.

Miratimi për anulimin e tenderit është marrë në datën 8 shtator nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i cili ka vendosur dhe skualifikimin e firmave pjesëmarrëse në procedurën e prokurimit publik, përfshirë dhe firmën që kishte fituar bonusin, duke u renditur e para në garën për marrjen me koncesion të “Kripa” sh.a, Vlorë.

Pikërisht, firma që fitoi bonusin u bë shkaktuare për anulimin e tenderit, pasi gjatë verifikimit të dokumentacionit ishin konstatuar shkelje të ligjit, por mbi të gjitha njëri nga pronarët e saj kishte konflikt interesi, pasi ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Vendimi i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave vjen në një kohë kur shkeljet në koncesion u publikuan në media, duke u bazuar nga raport-vlerësimi i hartuar nga zyrtarë brenda Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të cilët kundërshtonin juridikisht procedurën e tenderit, zhvilluar në qershor 2008.

Përplasja mes anëtarëve të KVO-s në ministri, detyroi ministrin që të anulonte të gjithë procedurën dhe për të rikthyer atë nga e para.

Shkeljet

Ministria e Ekonomisë, më herët, e kishte mbrojtur procesin e dhënies me koncesion të “Kripa” sh.a, Vlorë, me pretendimin se firma fituese e bonusit i kishte të gjitha dokumentet të rregullta.

Por, pasi shkeljet reale dolën në dritë, ministria u detyrua ta anulonte tenderin, vendim ky i marrë në javën e parë të muajit shtator. Shkaqet që çuan në skualifikimin e pesë firmave pjesëmarrëse në tender lidhej me ligjin "Për koncesionet", të kreut IX dhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.27, datë 19.01.2007,

“Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe te dhënies se koncesioneve”. Bazuar në këtë ligj, si dhe VKM nr. 27, KVO-ja vendosi anulimin e kësaj procedure dhe fillimi i procedurave nga fillimi.

Megjithatë, në vendimin e ministrisë nuk mësohet ekzaktësisht se cili ka qenë shkaku i anulimit të tenderit, kjo pasi janë skualifikuar të gjitha firmat, në një kohë kur shkelje të ligjit kishte kryer vetëm njëra, e cila ndër të tjera përbënte dhe konfliktin e interesit.

Hetimi

Të kontaktuar nga gazeta, drejtues të lartë të Avokatit të Prokurimeve janë shprehur se ka pasur ankesa nga firmat në tenderin për dhënien me koncesion të kripores së Vlorës dhe për këtë gjë kanë nisur hetimet, të cilat kanë hyrë në javën e dytë.

Edhe pse ka kaluar një periudhë dyjavore, institucioni i Avokatit të Prokurimeve nuk ka dhënë ende vendimin rreth procedurave që janë ndjekur në prokurimin publik për dhënien me koncesion për 35 vjet të shoqërisë “Kripa” sh.a, Vlorë, e vetmja kompani që prodhon kripë në vend.

Për sa i takon konfliktit të interesit, neni 70, pika 3, e Kushtetutës së Shqipërisë ndalon deputetët e Kuvendit të kryejnë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit.

Duke iu referuar kësaj pike, Agjencia e Prokurimit Publik është shprehur për skualifikim të shoqërisë “Alb-Sale”, fituese e bonusit. Megjithatë, këtë çështje mund ta shqyrtojë dhe Gjykata Kushtetuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›