E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiaku Rama: “Pas zgjedhjeve të qershorit, e gjithë Shqipëria si Tirana”



Kryebashkiaku Edi Rama inspektoi punimet në Bllokun 59 në kryeqytet, pranë bulevardit “Bajram Curri”. Ai deklaroi se pas zgjedhjeve të qershorit i gjithë vendi do të ketë modelin e Tiranës përsa i përket zhvillimit dhe infrastrukturës.
“Ndryshimi po shtrihet në të gjitha blloqet e banimit, ku pas 28 qershorit do të bëhet prezent kudo, në çdo metër katror të kryeqytetit, i cili me mandatin që ne do të marrim për të qeverisur vendin, brenda një mandati, do të jetë kryeqyteti europian i shqiptarëve në çdo bllok banimi”, - u shpreh Rama.
Rreth 25 hektarë të këtij blloku pritet t’i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë. Rrjeti ujësjellësit do të ndërtohet i ri dhe parashikohet ndriçim publik, duke instaluar shtylla metalike në të gjithë zonën e këtij blloku. Vlera e investimeve kap shifrën e 143 milionë lekëve. Projekti i rikonstruksionit parashikon që gjerësia e rrugëve brenda bllokut të jetë nga 3.5 deri në 7 metra. Trotuaret do të jenë të shtruar nga të dyja anët me pllaka betoni. Projekti i kanalizimeve parashikon ndërtimin e një rrjeti të ri kolektorësh dhe pusetash për ujërat e zeza dhe të bardha. Përveç ndërtimit të korsisë së parkimit, në rrugët e brendshme të bllokut është marrë parasysh edhe nevoja në rritje për hapësira të gjelbra si dhe gjelbërimi rrugor me pemë dekorative.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›