E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Shëndetësisë, “test” të gjitha spitaleve për shërbimet spitalore



Emanuela Sako

Të gjitha spitalet shtetërore do të kalojnë “testin” para se t’i nënshtrohen skemës së sigurimeve. Ministria e Shëndetësisë synon rishikimin në tërësi të hartës spitalore dhe shërbimeve shëndetësore, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në këta sektorë. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, shprehet se do të unifikohen të gjitha shërbimet në spitale, qoftë ato që mungojnë dhe ato që janë aktualisht në spitale, por që për arsye të ndryshme nuk funksionojnë. “Kjo ka të bëjë shumë me rritjen e aksesit të popullatës ndaj shërbimeve, por dhe me përsosjen e unifikimit të shërbimit shëndetësor, me atë që quhet moscopëzim të shërbimit shëndetësor”, - u shpreh Ivanaj. Gjithçka do të bëhet në bazë të reformës spitalore, ku përfshihet dhe shtrirja e skemës së sigurimeve shëndetësore në 42 spitale të vendit.
Deklarata
Situata e vështirë në të gjitha spitalet e vendit tashmë është pranuar nga të gjitha autoritetet shëndetësore. Njëkohësisht dhe mungesa e specialistëve në disa zona, mungesa e ambienteve, aparaturave etj., do të sheshohen duke vendosur një standard të përbashkët në të gjitha spitalet. Kjo nënkupton që ai shërbim që do të qëndrojë i hapur në një nga spitalet e vendit, do të jetë brenda standardeve. Në këtë rast presupozohet që edhe në zonat e thella spitalet të kenë aq specialistë sa ç’është e mundur, por spitali do të jetë i pajisur me medikamentet dhe aparaturat e domosdoshme për të kryer diagnostikimin e pacientëve. Ndërsa për shërbimet që nuk ofrohen, pacientët janë të detyruar të shkojnë në spitalin më të afërt me rrethin e tyre. Sipas Ivanajt, kjo lidhet shumë me standardizimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor. “Ka spitale atje ku nuk duhet të ketë, ka numër më të madh krevatesh se ç’duhet, por ka dhe spitale me koeficient përdorimi të ulët, pra ka fiktivitet, çka bën që shpesh të sëmurët të mos marrin shërbimin e duhur”, - sqaroi Ivanaj. Sipas tij, të gjitha këtyre praktikave dhe kontradiktave synohet t’u jepet fund këtë vit, me reformën e nisur për përfshirjen e 42 spitaleve në skemën e Sigurimeve Shëndetësore.
Reforma
MSH-ja bën të ditur se brenda muajit mars do të lidhen kontratat mes spitaleve dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ku do të përcaktohet mënyra se si ato do të aplikohen në praktikë. Reforma synon rritjen e cilësisë së shërbimit në spitale, shtimin e pajisjeve mjekësore, shtimin e barnave etj. Por nuk dihet ende nëse do të ketë një rritje të pagave për mjekët. Bluzat e bardha kanë kërkuar vazhdimisht rritje të pagave, nëpërmjet protestave që kanë bërë gjatë vitit të kaluar. Madje edhe në rastet kur mjekët janë ndjekur penalisht nga organet e Drejtësisë për korrupsion, ata e kanë justifikuar gjithçka me pagat e ulëta që marrin nga shteti. Kjo është një pikë kyçe, ku autoritetet shëndetësore janë shprehur që çështja e pagave do të shqyrtohet.

Ministria, standarde të reja për mbrojtjen e të drejtave të pacientit
Në shumicën e rasteve pacientëve u mohohen të drejtat e tyre, për të cilat lind nevoja e rishikimit të të drejtave ligjore.
Qendra Kombëtare e Standardeve, Cilësisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKSCA-ISH), për herë të parë ka kryer një studim për matjen e të drejtave të pacientëve, si një standard i domosdoshëm i kujdesit shëndetësor. Sipas Qendrës, të drejtat e pacientëve përbëjnë një nga fushat më të neglizhuara, pasi asnjëherë nuk është kërkuar që të zbatohen, ndaj dhe nuk mungon sistemi i matjes së tyre në raport me sistemin shëndetësor. Në studimin e kryer nga kjo qendër në disa spitale të vendit është vërtetuar se standardi i derisotëm i të drejtave të pacientëve, hartuar nga një grup specialistësh të huaj dhe miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka mbetur larg nivelit të kërkuar. Në publikimin "Euro Health Consumer Indeks 2008", 31 vende të Europës janë radhitur sipas performancës së arritur në 20 indikatorë, me një numër total pikësh të vlerësimit të pritshëm të mundshëm deri në 1000. Në krye të vendeve të para më të suksesshme me mbi 800 pikë radhiten Holanda, Danimarka dhe Austria. Prioritetet në Shqipëri për të drejtat e pacientëve dhe qytetarëve në fushën e shëndetësisë, lidhen me krijimin e legjislacionit, të mekanizmave rregullatorë si dhe me një kulturë të re të përgjegjësisë për gjithçka që bëhet, ose jo, e cila do të kanalizojë veprimin dhe zbatimin jo me fushata, por në vazhdimësi.

Kartat e identitetit, regjistri i qytetarëve ka ende dublikata

Regjistri themeltar me emrat e të gjithë qytetarëve nuk është pastruar ende nga dublikatat. Minibashkitë bëjnë të ditur se nuk janë shmangur të gjithë emrat e dubluar, siç është pretenduar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Disa ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, deklaroi se Regjistri themeltar i shtetasve tashmë është pastruar nga dublimet. Ndërsa kryetarët e njësive vendore në kryeqytet shprehen se ka ende qytetarë që emrat e tyre i gjejnë të dubluar. Kjo situatë konfirmohet nga kryetarja e Njësisë Vendore Nr. 1 në Tiranë, Lindita Nikolla. “Me keqardhje ju njoftoj se dhe pas deklaratës që bëri drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, ne ende vazhdojmë që në regjistrin tonë të gjejmë persona të dubluar. Konkretisht, dje janë kthyer nga aplikimi katër persona dhe sot tre persona. Pra ende nuk ka një shmangie totale nga personat e dubluar në Regjistrin kombëtar të Gjendjes Civile”,- u shpreh Nikolla. Dublimet kanë qenë një pengesë kryesore që listat paraprake nuk u shpallën në kohë. Sipas Nikollës, më 26 shkurt ato do të shpallen, pavarësisht pengesave që po hasin, pasi Regjistri nuk është i pastruar as nga emrat e personave të vdekur.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›