E Diel, 1 Nëntor 2026

Krishtlindjet, hapuni dyert fëmijëve, sjellin sihariqin

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Festimet
Tradita

Ylli i Betlehemit, pelenat e bardha të qëndisura, kasollja prej kashte, kanistra, barinjtë dhe astrologët, kolindet me ngjyra dhe petullat, kurora e blertë pas dere, qirinjtë e kuq dhe këngët ceremoniale janë sot pjesë e dekorit të festës. Ndonëse në Shqipëri në asnjë shesh nuk u improvizua tenda ku lindi foshnja- Jezus i rrethuar nga qengjat, dhuratat e ardhura që nga Egjipti e Siria e largët, shëmbëlltyrat e Marisë dhe Jozefit, këto detaje besimtarët e krishterë i ndërtuan në shtëpitë e tyre ose i gjetën në ikonat e kishave dhe ilustrimet e rrëfimeve biblike. Por kolindet dhe këngët e fëmijëve të vegjël që trokasin derë më derë që në orët e para të mëngjesit për të dhënë lajmin e mirë, janë një traditë që praktikohet pak sot, kryesisht në qytete të tilla si Berati apo Korça. Megjithatë, shumë amvisa nuk harruan se përpara bakllavasë dhe ëmbëlsirave të tjera, Krishtlindjet festohen me petullat e Lindjes së Foshnjes Jesu Krisht.
Kolendrat dhe Krishtlindjet në Berat
Fundi i dhjetorit të gjitha familjet orthodhokse të Beratit i gjen në përgatitje e sipër për të pritur festat e mëdha të fund vitit, Krishtlindjeve, Shën Vasilit dhe Pagëzimit të Krishtit (Ujit të Bekuar). Përgatitja e parë është ajo e pastrimit dhe zbukurimit të shtëpive. Dritat shumëngjyrëshe që shprehin madhështinë e këtyre festave duken kudo si në rrugët e qytetit. Atmosfera e Krishtlindjeve ndihej që disa ditë më përpara, por festa e Krishtlindjeve fillon realisht që momentet e para të mëngjesit të datës 23 dhjetor. Është zakon në familjet e qytetit, që zonja e shtëpisë të ngrihet e para nga gjumi në këtë ditë dhe të përgatisë kolindet, gatim që simbolizon lindjen e shpëtimtarit tonë Jisu Krishtit. Duke bërë fillimisht Kryqin, simbolin e Krishterimit, fillojnë të gatuajnë, duke i bërë kolindet në forma të ndryshme. Spikat forma e një gruaje me një fëmijë ndër duar, që natyrisht simbolizon Zonjën Shën Mari duke mbajtur ndër duar Birin e saj, Zotin tonë Jisu Krishtin. Kolindet bëhen dhe në forma të tjera si ato në formë ylli që simbolizon yllin e Betlehemit, që lajmëroi dhe drejtoi magët se Shpëtimtari lindi, kemi dhe kolinde në formën e një luleje që simbolizon bukurinë e Krishtlindjeve etj. Kolindet kanë një recetë të thjeshtë, duke gatuar brumin me sheqer dhe duke e prerë në format e sipërpërmendura, dhe theksohet fakti se çdo shtëpi bën një numër të madh kolindesh, të cilat do t ia dhurojë çdo fëmije që do të vijë në shtëpi si dhe për konsumim familjar në ditët përpara Krishtlindjes, pasi kolindet janë gatime kreshmore.
Kjo ditë është e lodhshme kryesisht për fëmijët, sepse data 23 dhjetor më shumë se kurrë do të jetë festa e tyre. Në grupe të vogla 3- 4 veta, duke lëvizur nëpër rrugët e qytetit, me kutinë ku ndriçon një yll, i cili simbolizon yllin e Betlehemit, shkojnë shtëpi më shtëpi, duke lajmëruar lindjen e Shpëtimtarit, ashtu siç bënë barinjtë apo magët e famshëm në lindjen e Jisu Krishtit. Dashuria dhe ëmbëlsia e zërave fëminorë përhapin lajmin e mirë, se ylli i bukur që ndriçoi lart në qiell u tregoi njerëzve rrugën e diturisë dhe të shpëtimit. Të gjithë këta fëmijë përhapin lajmin se, sot dashuria dhe shpëtimi u mishërua me anë të Zotit tonë Jisu Krisht...”. Nga ana tjetër, mikpritja e familjeve beratase nuk mungon në këtë mbrëmje, ata presin dhe përcjellin grupe fëmijësh deri në orët e vona të natës, duke i qerasur me ëmbëlsira dhe duke iu dhënë shpërblime të vogla simbolike në para, pasi sipas traditës së këtij vendi, kush sjell lajmin e një fëmije që lind, shpërblehet me një shumë simbolike. Të gjitha familjet e quajnë këtë natë të shenjtë dhe të mrekullueshme, sepse kjo natë përmban brenda saj shumë dashuri, harmoni dhe gëzim.
Të gjitha këto tradita të cilat shërbejnë për të pritur Shpëtimtarin përmbushen më datën 25 dhjetor. Me një atmosferë të gëzueshme erdhi dita e shumëpritur, në të cilën besimtarët nisen qysh në orën 06 të mëngjesit nga drejtime të ndryshme për në kishën e Shën Spiridhonit, në Goricë dhe në kishën e Shën Gjergjit, në Kala, ku celebrohen me madhështi shërbesat e Krishtlindjeve. Në të dyja këto kisha, përcillet mesazhi se “Lindi për ne sot Shpëtimtari”, u përhap nga qiejt, përmes gojëve engjëllore, për të mbushur zemrat tona me shpresë, paqe dhe gëzim. Me 25 Dhjetorin kulmon një periudhë festive dymbëdhjetëditëshe.

Ky lajm është publikuar: 25/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›