Kristal humb gjyqin e parë me qeverinë për pezullimin e licencës
Tiranë- Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën për pezullimin e urdhërit të qeverisë për ngrirjen e licencës së shkollës së lartë Kristal për një periudhë 1-vjeçare, deri në përfundimin e plotë të gjyqit që ka hapur Kristal ndaj qeverisë.
Çështja që mban numrin 14184, është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës më 29.06.2012 ku shoqëria Kristal sh.p.k padit Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë me objekt: Shfuqizimi tërësisht i vendimit nr 354 datë 23.05.2012 të Këshillit të Ministrave për pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universatare jo publike Universiteti Kristal.
Paraprakisht, shkolla e lartë Kristal ka kërkuar që të pezullohet zbatimi i këtij akti të qeverisë, deri në përfundim të shqyrtimit të plotë të çështjes. Por kjo kërkesë nuk është pranuar.
Më 19.07.2012 gjykata filloi shqyrtimin, nën udhëheqjen e gjyqtarit Julian Haxhiu. Vetëm katër ditë më vonë, më 25.07.2012 gjykata vendosi të shtyjë seancën për tu shprehur për kërkesën e palës paditëse për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ, pasi të njihej me provat shkresore të paraqitura nga palët.
Seanca e radhës, ajo e datës 27.07.2012 dështoi pasi gjykata çmoi se mungesa e avokatit të Kristali-t, Gazmend Zeneli kishte ardhur për shkaqe të arsyeshme.
Jo më larg se 3 ditë më vonë, më 30.07.2012 munguan avokatët e Këshillit të Ministrave, Alfred Mulla, Rovena Sulstarova dhe Jorgo Caca. Pavarësisht kësaj gjykata vendosi: Rrëzimin e kërkesës së Shoqërisë Kristal sh.p.k për pezullimin e ekzekutimit të aktit administrativ të vendimit Nr.354, datë 23.05.2012 të Këshillit të Ministrave”.
Sipas gjykatës kundër vendimit lejohet ankim i veçante sipas ligjit në Gjykatën e Apelit. Ndërsa mund të vijojë në Apel kerkësa për pezullimin urdhërit të qeverisë, Gjykata e Tiranës ka caktuar datën 19.09.2012 për të paraqitur prova të reja, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Ministrisë së Arsimit.
Por ndërkohë që Kristali humbi betejën e parë me qeverinë, ai vijon të ftojë të rinjtë për të studiuar pranë këtij universiteti.
Licenca e Universitetit privat Kristal u pezullua me shumë bujë për të paktën 1 vit, më 23 Maj të këtij viti me urdhër të Këshillit të Ministrave. Sipas atij vendimi Kristal gjatë periudhës së pezullimit nuk do të pranojë studentë në asnjë program që ofron.
Teksa MASH-i do të kryente inspektim periodik çdo tre muaj në këtë institucion, në përputhje me standartet cilësorë në bazë të së cilave do të vendosej fati i këtij universiteti privat.
Skandali Kristal doli në dritë pas publikimit në Itali të diplomës që kishte marrë djali i ish-kreut të Lega Nord, i cili nuk dinte shqip dhe skishte shkelur kurrë në Shqipëri por posedonte një diplomë të nivelit të parë të lëshuar nga ky universitet privat. Një hetim nisi nga prokuroria dhe shoqëria civile ngriti zërin për cilësinë e diplomave të lëshuara prej tij, por asnjë rezultat nuk u bë publik nga ky hetim.
