E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristiano Ronaldo: Edhe ata janë njerëz!

SHKRUAN: Jeton Selimi 16-04-2011 12:09

Kristiano Ronaldo synon të dëshmojë se Barcelona është “njerëzore”, ndërsa Real Madridi përgatitet për serinë prej katër ‘El Clasico’ në 18 ditë. Fitorja e të mërkurës mbrëma ndaj Totenhemit në Ligën e Kampionëve siguroi se Reali do të përballet me rivalin e tij të përhershëm në gjysmëfinale të Champions League, më 27 prill dhe 3 maj, pa lënë mënjanë edhe finalen e Copa del Rey më 20 prill. Mirëpo, maratona fillon të shtunën, kur Reali pret Barcelonën në “Santiago Bernabeu” në kërkim të hakmarrjes për disfatën turpëruese 5-0 në takimin e parë mes tyre në nëntor. Dominimi i Barcelonës në atë ndeshje në “Camp Nou” dhe suksesi i tyre i pastajmë në krijimin e tetë pikëve epërsi ndaj rivalit të tyre në krye të tabelës ka dëshmuar dallimin në cilësi mes dy ekipeve. Por, Ronaldo është i vendosur të kthejë Barcelonën në tokë në përballjen me ta në kryeqytetin spanjoll në fundjavë. “Ata janë ekip i mirë, por nuk vijnë nga një planet tjetër. Ata janë njerëz sikurse ne”, tha Ronaldo për UEFA.com. “Ata luajnë futboll të mirë, sigurisht, por atë e bëjmë edhe ne. Ne ndihemi mirë si fizikisht ashtu edhe në mendje. Shpresoj të dalim në krye të këtyre përballjeve kundër tyre. Ishte nj fitore e mirë kundër Totenhemit dhe kjo nënkupton se kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara. Ambicia jonë në fillim të sezonit ishte të shkonim sa më larg në këtë garë. Tani jemi afër finales, por do të takohemi me një rival shumë të vështirë si Barcelona”, përfundoi ai.

Ksavi Hernandez: Nuk jemi jashtëtokësorë

Mesfushori i Barcelonës, Ksavi, beson se katalanasit nuk janë jashtëtoksorë, por suksesi i tyre është si pasojë e njerëzve të cilët kënaqen së luajturi futboll. “Ne jemi shumë njerëz normal. Dhoma e zhveshjes është e thjeshtë, përplot me njerëz të cilët kënaqen me futboll dhe kanë respekt për njëri-tjetrin. Njerëzit duhet të na gjykojnë si humanë nga mënyra se si sillemi në fushë. Ne nuk jemi jashtëtoksorë”, theksoi Ksavi. Barcelona mund ta sigurojë titullin në La Liga të shtunën me një fitore ndaj Real Madridit në El Clasicon e ‘Bernabeut’.

El Canguelo de Barcelona

Në kohët moderne, shtypi sportiv me qendër në Madrid ka akuzuar Barcelonën se ka rënë pre e “Canguelo”, që fjalë për fjalë do të thotë “frikë e madhe se Reali do t’u vjedhë titullin”. Në vitin 2007, Reali i drejtuar nga Fabio Kapelo i mori Barcelonës së drejtuar nga Frank Rajkard titullin në ndeshjen e fundit të sezonit, duke nxitur spekulime se Barça e kishte lënë vetë titullin. Ndonëse Madridi e fitoi titullin sërish në vitin 2008, më shumë ka qenë në ndjekje të gabimeve të skuadrës së Pep Guardiolas, duke mbajtur një qëndrim kokëfortë dhe jokapitullues deri në fund, që i brengos rivalët katalanas.

Javën që shkoi, skuadra e Hoze Mourinjos fitoi 3 0 në fushën e Atletik Bilbaos, kurse Barcelona nervoze mundi 3-1 Almerian modeste pasi përmbysi rezultatin. Nëse Reali fiton nesër në derbi, do të mbetej pesë pikë larg kur kanë mbetur gjashtë ndeshje deri në fund dhe fantazma e Kapelos mund të shkaktojë edhe më shumë “Canguelo” në kryeqytetin katalanas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›