E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristiano Ronaldo: Ky është ekipi më i talentuar në botë

Kristiano Ronaldo është i bindur se fundi i sezonit do t‘i japë përgjigje pyetjes nëse ekipi aktual i Mançester Junajtid është më i miri i të gjitha kohërave. Vetë trajneri, Aleks Ferguson, deklaroi pak kohë më parë se kjo ishte skuadra më e kompletuar që kishte drejtuar ndonjëherë, që prej vitit 1986 kur ai mori drejtimin e "djajve të kuq". Edhe mesfushori portugez beson se grupi aktual është shumë i talentuar, por duhet ta provojë këtë gjatë javëve të fundit të sezonit ku synohet fitorja në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve.

"Deklaratat e trajnerit të bëjnë të ndjehesh mirë. Ai ka qenë te ky klub për 17-20 vite, ka firmosur me lojtarë të mëdhenj, golashënues të jashtëzakonshëm. Edhe unë mendoj se kjo është skuadra më e talentuar, por kjo mund të konfirmohet vetëm në fundin e sezonit, duke parë atë që ka fituar ekipi. Kemi talente të jashtëzakonshme dhe mendoj se po ecim në rrugën e duhur. Ndeshje pas ndeshje kemi treguar se kemi një skuadër fantastike, që ka talent dhe futbollistë të jashtëzakonshëm, por vetëm në fund të sezonit do të mund të jepet një përgjigje përfundimtare nëse ky ekip është më i miri në historinë e Mançester Junajtid. Nëse ne fitojmë Ligën e Kampioneve apo kampionatin, do të mund të krijojmë një ide më të qartë", u shpreh mesfushori portugez.

Futbollisti ka folur edhe për sfidën me Barcelonën, e vlefshme për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Mançester Junajtid është favorite për të kaluar në finale, por Ronaldo mendon se asgjë nuk është e sigurtë përballë një skuadre e cila e fitoi këtë trofe dy vjet më parë. "Në këtë pikë nuk ka ndeshje të lehta. Të gjitha janë ndeshje të rëndësishme ku ka trysni për të dyja skuadrat dhe të duhet përqendrimi maksimal. Gjithçka mund të ndodhë. Mesi? Ai është një lojtar shumë i mirë. Është një kënaqësi të luash me futbollistë të tillë. Ne dukemi të njëjtë, pasi duam të shënojmë dhe të fitojmë ndeshjet. Objektivi ynë është që të fitojmë sa më parë që të jetë e mundur. Ne do të luajmë për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm në "Kamp Nou". Unë dua ta fitoj këtë ndeshje", vijoi Ronaldo.

Mesfushori është i kënaqur edhe me ecurinë e tij personale në këtë sezon, ku ka shënuar 28 gola në kampionat, duke u bërë një tmerr për mbrojtjet kundërshtare. Kjo e ka bërë atë pretendentin kryesor për të fituar edhe trofetë individualë të sezonit, por lojtari mendon se më parë duhet menduar për titujt me skuadrën. "Objektivi im në këtë pikë është që të fitoj të gjitha turnetë në të cilat marr pjesë me skuadrën. Fitorja në kampionat është një shpërblim për punën e një viti, por edhe trofetë e tjerë janë shumë të rëndësishëm. Nuk jam i fiksuar pas çmimeve për lojtarin më të mirë. Unë dua të luaj mirë dhe të fitoj gjithmonë", përfundoi Kristiano Ronaldo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›