E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarri i dyshimtë shkrumbon dy hotele

Një zjarr i rënë për shkaqe ende të dyshimta dogji për gjatë gjithë natës dy hotele të një kompleksi në Shëngjin, fatmirësisht pa shkaktuar viktima. Zjarrfikëse nga Lezha, Shkodra e Tirana gjatë gjithë natës kanë shkuar në vendngjarje, duke u munduar të shuajnë flakët, që kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit. Policia po heton dy pista, ku njëra prej tyre është zjarrvënie e qëllimshme, ndërsa për tjetrën dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike, ndërkohë që dëmi i llogaritur nga pronarët kap dy milionë dollarë.
Zjarri i fuqishëm që ra gjatë natës në kompleksin "Inxheritor" në Shëngjin dogji plotësisht një prej hoteleve dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale te hoteli i dytë. Zjarri ra rreth orës 21:30 të mbrëmjes së të premtes dhe dogji deri në orët e mëngjesit kompleksin gjigand në Shëngjin, "Inxheritor" e "Curri". Kompleksi në pronësi të shtetasve Anxhelin Fusha e Pashk Curri, përbëhej nga dy kulla të njohura me emrin "Keo", që shërbenin si hotele. Zjarrfikëse nga Lezha, Shkodra e Tirana punuan gjatë gjithë natës në vendngjarje dhe mundën t‘i lokalizojnë flakët pak para se të zbardhte dita e djeshme. Zjarrfikësit u ndjenë të pafuqishëm para flakëve gjigande në një prej kullave, pasi dy bombola me nga njëmijë litra gaz ndodheshin në godinë dhe shpërthyen me fuqi. Drejtori i zjarrfikëseve, Dilaver Laci, pohoi për mediat se zjarrfikëset mbërritën për 6 minuta në vendngjarje, por flakët ishin gjigande dhe shpërthimi i bombolave vetëm sa e përkeqësoi situatën. Ndërsa Pashk Curri, një prej pronarëve, i tronditur konfirmoi për mediat se dëmi i llogaritur nga djegia e kompleksit ka qenë rreth dy milionë dollarë. "Por, siç shtoi ai, e rëndësishme është që nuk pati viktima". Më tej ai shpjegoi se zjarri u lokalizua rreth orës 03:30 të mëngjesit të djeshëm.
Hetimet e policisë
Zjarri dogji menjëherë një prej kullave dhe zjarrfikëset mundën të shpëtonin një prej hoteleve, por dhe ai i djegur pjesërisht. Sasia e gazit prej dymijë litrash që ndodhej në dy bombola, ndihmoi në përshpejtimin e flakëve dhe përhapjen e tyre edhe në hotelin e dytë. Por hetimet tani janë përqendruar në shkaqet e rënies së zjarrit. Dyshimet e para janë për zjarr aksidental, për shkak të një shkëndije elektrike. "Ka pasur probleme me energjinë elektrike gjatë gjithë kohës. Pikërisht, rreth orës 19:00 ka pasur luhatje të shumta", pohon pronari Curri. Por, gjithsesi policia nuk përjashton edhe rastin e zjarrvënies së qëllimshme. Për këtë arsye janë marrë në pyetje tre rojet e hotelit dhe vazhdon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të rënies së zjarrit.
Rreziku i madh
Zjarri mund të kishte qenë katastrofal. Kështu komentoi dje paradite kreu i zjarrfikëseve të Lezhës, Zef Frani. "Bombolat me gaz që ndodheshin në hotel rrezikuan jetën e zjarrfikësve, të cilët me shumë mundim vunë flakët nën kontroll. Por në rast të kundërt, nëse flakët do të kishin përparuar, në zonë do të ishte shkaktuar një katastrofë e vërtetë natyrore që do të kishte vënë në rrezik dhe jetë njerëzish", shprehet Frani. Zona ku janë ndërtuar dy hotelet, është e rrethuar me pyll pishash, ndërkohë vetëm pak metra më tutje ka edhe godina të banueshme. Nëse flakët do kishin mbërritur në pyll, kjo do të kishte sjellë një katastrofë. Por, policia po tregohet e kujdesshme në dhënien e konkluzioneve dhe në hetime nuk përjashton edhe rastin e zjarrvënies së qëllimshme. Ky hotel është ndërtuar vetëm një vit më parë, pas një investimi tepër të madh të bërë nga dy biznesmenët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›