E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, gati projektligjin për ndryshimin e gradave

Qeveria vendos të ndryshojë emërtesat e gradave për ushtarakët, duke përdorur modelin slloven dhe hungarez. Projektligji i parë i ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, nuk ka kaluar në mbledhjen e djeshme të qeverisë, por do të marrë miratimin në mbledhjet e ardhshme, pasi të përfundojë përshtatja me modelet e huaja. Këshilli i Ministrave do të ulë numrin e gradave të larta dhe do të vendosë që koha e shërbimit s‘do të matet me vite, por me moshë. Një rekruti të nivelit të dytë dhe detari të këtij niveli i duhen 3 muaj për të marrë gradën, ndërsa rekruti i nivelit të parë kërkon 9 muaj kohë për t‘u pajisur me gradë.

Ushtarëve u nevojitet një vit kohë për t‘u pajis me gradë, ndërsa kaporalët dhe nëntogerët duan 2 vite eksperiencë pune për të fituar gradën. Tre vjet punë nevojiten për togerët, leitnantët, gjeneral brigade, gjeneral major dhe nënadmiralët për të marrë gradën. Një majori i duhen pesë vjet, ndërsa gjashtë vjet nevojiten për kapitenët dhe nënkolonelët për t‘u pajisur me gradat përkatëse.

Në ligj pritet të përcaktohet se mosha kufi e ushtarakëve të mos jetë më e madhe se 38 vjeç, ndërsa për rekrutët mosha kufi është 27 vjeç. Mosha në shërbimin aktiv për kapitenët, togerët dhe nëntogerët është 40 vjeç, për majorët është 55 vjeç, për nënkolonelët 57 vjeç dhe për kolonelët 59 vjeç. Admirali dhe gjeneral leitnantët kanë të drejtë të qëndrojnë në shërbim aktiv deri në moshën 65 vjeç, ndërsa gjeneral majorët deri në moshën 63 vjeç. Ky projektligj pritet të ndryshojë konceptin e qëndrimit në shërbimin ushtarak aktiv. Koha maksimale e qëndrimit në shërbimin ushtarak aktiv nuk do të jetë me vite shërbimi, por do të jetë me moshë. Kjo do të ndihmojë që ushtarakët të mos lirohen shpejt nga radhët e Forcave të Armatosura dhe të krijojnë eksperiencën e duhur për t‘u përballur me sfidat e kohës dhe të kenë një punë të garantuar. Meqenëse ushtarakët do të qëndrojnë më gjatë në shërbimin aktiv, do të lirohen më vonë nga radhët e Forcave të Armatosura dhe periudha e trajtimit të tyre me pension të parakohshëm do të jetë më e shkurtër. Kjo praktikë zbatohet edhe nga ushtritë e vendeve europiane, anëtare të NATO-s, të cilat edhe për nga numri i personelit janë më të krahasueshme me ushtrinë e vendit tonë. Praktikë e re është që në hierarkinë ushtarake është vendosur edhe studenti, i cili do të ndjekë studimet në shkollat ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Në projektligjin e ri pritet të përcaktohet koha e qëndrimit në një gradë për fitimin e gradës pasardhëse. Pritet të rishihet koha e qëndrimit në një gradë për disa grada, për të tjerat do të ngelet po e njëjta kohë si te ligji aktual. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në relacionin e tyre është përcaktuar se ky projektligj do t‘i kushtojë më pak të ardhura buxhetit të shtetit.

E.A.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›