E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ekip shqiptar mbahet me para droge

• Një klub shqiptar i Kategorisë Superiore mbahet me paratë e drogës.Ky është konkluzioni i hetimeve disamujore të policisë italiane, e cila pas një aksioni të gjerë ka arrestuar dje 61 persona në Itali, të cilët ishin pjesë e një bande kriminale shqiptaro-rumune. Lajmi është publikuar në agjencinë e lajmeve ANSA. Kjo bandë ishte kryesisht e specializuar në trafikun e lëndëve narkotike, në prostitucion, si dhe në pastrimin e parave. Personat e arrestuar janë hetuar dhe më pas zbuluar nga policia e Torinos. Në bazë të hetimeve të policisë së këtij vendi kanë përfunduar në pranga 61 persona, 16 prej të cilëve janë arrestuar në qytete të ndryshme të Italisë pak ditë më parë. Ndërkohë janë sekuestruar 40 kg heroinë dhe kokainë, e cila mendohet se vinte nga vendet e lindjes. Sipas policisë italiane, të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme përfundonin në Shqipëri nëpërmjet agjencive të specializuara në transaksionet ndërkombëtare. Paratë ricikloheshin nëpërmjet blerjes së pasurive të patundshme dhe në investimeve në biznes. Madje sipas policisë italiane një pjesë e mirë e këtyre të ardhurave është përdorur për të financuar një skuadër futbolli shqiptare të Kategorisë Superiore gjatë sezonit 2006-2007. Banda e kishte qendrën e vet në Torino. Pritet që me këtë çështje të merren jo vetëm dy inspektorët e punësuar nga Federata gjatë kohëve të fundit, por edhe Prokuroria e vendit tonë, e cila tashmë ka sinjale të qarta se investimet në futbollin shqiptar nga sponsorë të caktuar mund të bëhen edhe nga persona që dëshirojnë të pastrojnë para. Gjithnjë ka pasur zëra se në futbollin tonë riciklohen para të pista, por deri tani nuk ka pasur asnjëherë hetime konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›