E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e peshkatarit, tensione mes Tiranës dhe Podgoricës



Plagosja e një peshkatari nga Shkodra nga rojet kufitare malazeze ka përfshirë në një konflikt autoritetet zyrtare të Tiranës dhe Podgoricës. Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së martës në ujërat e liqenit të Shkodrës, ku mbeti i plagosur shtetasi Hysen Skënderaj prej një breshërie plumbash të lëshuar në drejtim të tij nga persona me uniformë të Malit të Zi, kanë nisur takimet mes dy palëve. Burimet zyrtare të policisë së Shkodrës raportojnë se dje u zhvilluan takime mes autoritete policore shqiptare dhe malazeze. “Pas informacionit të dhënë nga ana jonë për ngjarjen, nga pala malazeze është ngritur menjëherë grupi hetimor, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punohet me angazhim të plotë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes si dhe vënien para përgjegjësive përkatëse”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Qarkut Shkodër. Po dje, ministria e Jashtme e Shqipërisë ka bërë gati një notë proteste drejtuar homologes malazeze në lidhje me incidentin e rëndë”. Në lidhje me këtë ngjarje, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë i dërgoi dje një notë proteste homologes së saj në Podgoricë, ku kërkohej që të zbardheshin të gjithë rrethanat e plagosjes së shtetasit shqiptar. Të martën në mbrëmje, rreth orës 17.35, në fshatin Luarz të komunës Velipojë, u plagos me armë zjarri 57-vjeçari Hysen Skenderaj. Sipas të plagosurit, një ushtar dhe një polic nga Mali i Zi, teksa po patrullonin zonën kufitare mes dy vendeve, e kanë qëlluar, ndonëse Skënderaj ndodhej në ujërat territoriale të vendit tonë. I plagosuri mohoi faktin se ka përdorur dinamit gjatë peshkimit. Hysen Skenderaj ndodhet nën përkujdesjen e mjekëve të Spitalit Rajonal të Shkodrës. Shefi i repartit të kirurgjisë Shpëtim Ymeri tha "se gjendja e shtetasit shqiptar që u plagos me armë zjarri nga dy policë kufitarë të shtetit fqinj të Malit të Zi është në përmirësim e sipër jashtë rrezikut për jetën". “Fatmirësisht, edhe pse një plumb më ka përshkuar tej për tej nga njëra faqe në tjetrën kam shpëtuar nga vdekja”, - thotë i plagosuri Skenderaj. Për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes pritet të dalin përfundimet nga prokuroria e Shkodrës dhe institucionet përkatëse të Malit të Zi.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›