E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti Durrësit, këtë vit me një fakultet të ri



Jonida Tashi

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, këtë vit të ri akademik do të ketë një fakultet të ri që është ai Studimeve të Integruara me Praktikën, (FASTIP). Qeveria në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, vendosi hapjen këtij fakulteti, i cili megjithëse e zhvillon veprimtarinë e vet në kuadër të këtij universiteti, gëzon status autonom, për drejtimet e veprimtarisë, që përcaktohen në vendimin për funksionimin e tij. Tre diplomat e nivelit të parë që do të ofrojë ky fakultet për vitin akademik 2008-2009 janë: Menaxhimi i bankave; Menaxhimi i hoteleri-turizmit dhe Menaxhimi i ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Ndërsa numri i studentëve, që mund të pranohen në secilin drejtim, të ofruar nga FASTIP-i, është 30. Pranimi i tyre për këtë vit akademik do të bëhet sipas kritereve dhe procedurave, të përcaktuara nga FASTIP-i. Ndërkohë që tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen në vitin akademik 2008-2009, në njërën nga programet e studimit, që ofron FASTIP-i, është 30 000 (tridhjetë mijë) lekë. FASTIP-i kalon një periudhë kalimtare, që zgjat 4 vjet (2008-2012), gjatë së cilës do të organizohet në departamentet e mëposhtme: Departamenti i menaxhimit të bankave; Departamenti i menaxhimit të hoteleri-turizmit; Departamenti i menaxhimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Vendimi
Sipas vendimit të qeverisë, FASTIP ka mision të ofrojë arsimin universitar, të ciklit të parë dhe të dytë, të integruar me praktikën profesionale, drejtpërdrejt në sipërmarrje (arsimimi dual). FASTIP përmbush detyrat, duke mbështetur personat, të cilët përfundojnë studimet, për të hyrë në jetën e punës, nëpërmjet bashkëveprimit me qendrat e trajnimit profesional të studentëve. Qendrat e trajnimit profesional, në kuadër të këtij vendimi, janë sipërmarrje nga fusha e ekonomisë, institucione të krahasueshme jashtë fushës ekonomike, veçanërisht profesionet e lira, si dhe institucionet e partnerëve nga fusha sociale. Ata mund të marrin pjesë në arsimimin në kuadrin e FASTIP-it, në rast se janë në gjendje të ndërmjetësojnë përmbajtjet e përcaktuara arsimore. Studentët e FASTP-it gëzojnë të njëjtat të drejta si edhe studentët e fakulteteve të tjera. FASTIP-i autorizohet të lidhë marrëveshje me shkollat e larta të huaja, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për shkëmbimin e studentëve. Gjithashtu, qeveria ka përcaktuar edhe mënyrën se si do të funksionojë ky fakultet e cila është e njëjtë me atë të gjithë fakulteteve në vend.

Fondacioni i Kolegjit Evropian të Parmës, konkurs për 20 bursa
Fondacioni i Kolegjit Evropian të Parmës shpall për vitin akademik 2008-2009 një konkurs për 20 bursa studimi me një vlerë 1000 euro në muaj. Ky konkurs u jep mundësi kandidatëve për pjesëmarrje për një periudhë 10 mujore në një kurs të diplomës së avancuar për studime evropiane dhe është i hapur për të gjithë të diplomuarit të vendeve të huaja, por që nuk janë anëtarë të BE. Kandidatët duhet të jenë të pajisur me diplomën e shkollës së lartë përkatëse, të paktën 4-vjeçare, në degët juridik, ekonomik dhe politologji (kjo e fundit me drejtim në politikat komunitare evropiane}. Njohja e gjuhës italiane, angleze dhe franceze duhet të jenë të nivelit të mirë për të bërë të mundur kuptimin e leksioneve në katedrat përkatëse. Në mbyllje të kursit kandidatët do të jenë të pajisur me njohuri në fushat juridike ekonomike dhe politologjie. Kërkesa duhet t’i dërgohet Kolegjit Universitar të Parmës, nëpërmjet Ambasadës Italiane, deri në 10 korrik 2008. Për një informacion më të detajuar mund të kontaktoni Zyrën e Bashkëpunimit Universitar dhe Shkencor pranë Ambasadës Italiane në Tiranë.

Matura Shtetërore, maturantët konsultim për testin e Matematikës

Gjashtë ditë para organizimit të provimit të dytë të Maturës Shtetërore, maturantët kanë nisur të ndjekin konsultimet për lëndën e Matematikës. Sipas Drejtorisë Arsimore Tiranë (DAR), maturantët në shkollat përkatëse do t’i nënshtrohen deri të martën e ardhshme konsultimeve të fundit për çdo pjesë të lëndës që ata kanë nevojë. Në provimin e dytë të matematikës, i cili do të organizohet më 17 qershor, do të marrin pjesë 33 400 studentë. Për përgatitjen e tij, dje në mjediset e Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), ka nisur KOEPS- it (Koha e Ekspozimit Potencial të Sekretit), proces ku janë “izoluar” grupi i 17 specialistëve që do të merret me hartimin e testit. Lloji i testit me të cilin do të promovohet nxënësi, do të varet nga lloji i programit lëndor që maturanti ka punuar në shkollën e mesme dhe në përputhje me profilin e arsimit. Pikët maksimale për testin e matematikës do të jenë 50. Ky provim do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative (13 pikë) dhe 12 pyetje me zhvillim (37 pikë).

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›