E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i ri i gradave, Policia e Shtetit me spaleta të vjetra mbi supe



Nga Sokrat Boçi*

Problemit të pazgjidhur për ata punonjës policie, që mbajnë funksione jo në bazë të gradës që kanë aktualisht, të cilët detyrimisht largohen nga policia ose ulen në një funksion më poshtë, nga implementimi i gradave në policinë e Shtetit, i cili sipas afateve duhet të ishte aplikuar më 11 Qershor 2008, ndërkohë një problem tjetër mbetet, për të patur (për të vënë në përdorim) një paraqitje, formë dhe ndërtim të gradave ndryshe nga paraqitja nga forma dhe ndërtimi i gradave ekzistuese që mban sot policia e Shtetit në objektet e uniformës së tyre, mbi supe gradat e mëdha dhe në gjoks gradat e vogla të shërbimit.
Paraqitja, forma dhe ndërtimi i një grade tjetër parashikohet në nenin 38 (paraqitja e gradave) të ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 “Për policinë e Shtetit”, i cili kërkon “Paraqitja, forma dhe ndërtimi i gradave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas zhvillimit të një procesi konkurrimi për dizenjimin e tyre.
Me VKM nr. 64 datë 02.02.2001 “Për inkuadrimin e gradave ushtarake në gradat e Policisë së Shtetit dhe përcaktimin e funksioneve, që do të ushtrohen sipas tyre, është miratuar forma dhe ndërtimi i gradave për të katër rolet, të rolit bazë (të ulët), të mesëm, të larta dhe drejtues (madhore).
Ndërsa me VKM nr. 638 datë 21.11.2001 “Për disa ndryshime në VKM nr. 64 datë 02.02.2001 “Për inkuadrimin e gradave ushtarake në gradat e policisë së Shtetit dhe përcaktimin e funksioneve, që do të ushtrohen sipas tyre, është miratuar (ndryshuar) forma dhe ndërtimi i gradave për të katër rolet, të rolit bazë (të ulët), të mesëm, të larta dhe drejtues (madhore) dhe që ka sot në përdorim policia e Shtetit, me këtë përmbajtje të motivuar:
Format e gradave të policisë së Shtetit për të gjitha nivelet (rolet) paraqiten në spaleta tekstil i posaçëm, ngjyrë “blu” të errët (ngjyrë qëndrueshmërie e serioziteti), me përmasat 6 x 13 cm (tubolare). Gradat paraqiten me ngjyrë të “artë” (ngjyrë pushteti dhe triumfi). Ndarja e gradave për të katër nivelet realizohet në mënyrë specifike brenda dhe jashtë tyre, por ajo që i bashkon ato në një pikë janë dy ngjyrat bazë: “blu” e errët dhe e “artë”, si dhe buzimi i spaletës si në gjatësi e në gjerësi është me ngjyrë të “artë”. Të gjithë elementët e ndërtimit të gradave janë në reliev, me punime e dokoracion me material plastik me bazë P.V.C.
Por VKM nr. 64 datë 02.02.2001 “Për inkuadrimin e gradave ushtarake në gradat e policisë së Shtetit dhe përcaktimin e funksioneve, që do të ushtrohen sipas tyre” të ndryshuar, nuk mund të zbatohet për punonjësit e policisë së Shtetit. Sepse me VKM nr. 803 datë 21.11.2007 “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në policinë e Shtetit dhe ekuivalentimin e tyre, pika 6 e këtij vendimi (Fletore Zyrtare nr. 167, 11 Dhjetor 2007), shfuqizon vendimin nr. 64 të vitit 2001.
Dhe që nga 11 Dhjetori 2007, që ka hyrë në fuqi vendimi nr. 803 datë 21.11.2007, policia e Shtetit mban në objektet e uniformës së tyre si mbi supe (grada të mëdha) dhe në gjoks (gradat e vogla të shërbimit), të shfuqizuara. Dhe aq më tepër se, si në nenin 36 “Gradat” të ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 “Për policinë e Shtetit”, ashtu dhe në VKM nr. 803 datë 21.11.2007, nuk parashikohet emërtimi i gradave të rolit bazë (të ulët) si agjent, agjent i parë, asistent, asistent i parë dhe kryeasistent. Sa kaq sot rreth 6000 punonjës policie mbajnë mbi supe e në gjoks këto lloj grada, tashmë të shfuqizuar që nga Dhjetori i vitit 2007. Një gradë e tillë, por dhe gradat e roleve të tjera (të mesëm, të lartë, madhore), detyrimisht pasohet dhe pasohen me shfuqizimin e shenjës së gjoksit, sepse ajo përfaqësohet me elementë të gradës për të katër rolet të miratuara me VKM nr. 638 datë 21.11.2001. (Një shenjë që tingëllon më cilësore, më profesionale e aktualisht më i arrirë).
Në pikën 4 të Vendimit nr. 803 datë 21.11.2007 “Për përcaktimin e funksioneve korresponduese për gradat në policinë e Shtetit dhe ekuvalentimin e tyre përcaktohet se: Ministri i Brendshëm merr masa për përfundimin e procesit të kalimit në sistemin e ri të gradave, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 126 të ligjit dhe në këtë vendim, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Padyshim që, kalimi në sistemin e ri të gradave është ngjarje e shënuar. Në këtë eveniment të rëndësishëm, pikërisht më 11 Qershor 2007, lind pyetja: Policia e Shtetit do të ketë të vendosur mbi supe e në gjoks, formë dhe ndërtim grade sipas nenit 38 (paraqitja e gradave) të ligjit nr. 9749 datë 04.06.2007 “Për policinë e Shtetit”, i cili shprehet se: Paraqitja, forma dhe ndërtimi i gradave miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave pas zhvillimit të një procesi konkurimi për dizenjimin e tyre (kohë e mjaftueshme për të realizuar këtë proces) apo do të ketë dy herë shfuqizim të VKM nr. 64 datë 02.02.2001 “Për inkuadrimin e gradave ushtarake, në gradat e policisë së Shtetit dhe përcaktimin e funksioneve që do të ushtrohen sipas tyre”, të ndryshuar dhe që nuk zbatohet për punonjësit e policisë së Shtetit? (pika 6 e vendimit të K. M. nr. 803 datë 21.11.2007).
Sot në policinë e shtetit, në drejtim të uniformave dhe shenjave të kompletimit të saj, çdo gjë është e shfuqizuar. Nga “harresa” për të patur një nen të veçantë uniforma dhe shenjat e policisë së Shtetit në ligjin e ri nr. 9749 datë 04.06.2007 “Për policinë e Shtetit”, të gjitha objektet e uniformës dhe shenjave të kompletimit të saj (22 të tilla) të vendosur (miratuar) me VKM nr. 236 datë 23.04.2004 “Për miratimin e uniformës dhe të shenjave në policinë e Shtetit”, janë të shfuqizuara nga koka te këmbët (janë të jashtëligjshme), pasi ligji i sipërcituar (neni 128 i tij), ka shfuqizuar ligjin e mëparshëm nr. 8553, datë 25.111.1999 “Për policinë e shtetit”, nenin 35 të këtij ligji (uniforma dhe shenjat e policisë), mbi të cilin është bazuar dalja e VKM nr. 236 datë 23.04.2004 “Për miratimin e uniformës dhe të shenjave të policisë së Shtetit”. Nga kapela për të katër rolet me punime artistike e elementë dekorativ tipike policore, si zgjedhja më e mirë, historikisht, një kapele në formë dhe në përmbajtje, më e mirë nga të gjitha kapelet e strukturave të ndryshme që mbajnë uniformë në Republikën e Shqipërisë. Por si rezultat të ndryshimit të materialeve cilësore të brendshme (tel rrethor prej çeliku dhe që mban formën e bukur të kësaj kapele), sot kapela është deformuar, është transformuar në një shapkë. Deri tek këpucët që me iniciativë (pa pyetur Ministrin e Brendshëm, që e ka kompetencë), në bashkëpunim me prodhuesin (kuptohet nga zbatimi i kontratave) kanë ndryshuar modelet e tyre të miratuara sipas VKM nr. 236. Sa kaq, veç gradave dhe simbolet (flamuri e stema e policisë së Shtetit), emblemë që vendoset në pjesën ballore të kapelës, streha e kapelës me dekoracion (vetë kapela), stemat e krahut sipas shërbimeve të policisë, (Policia e Rendit, Policia Kufitare, Policia Rrugore, FNSH etj.), elementë, ornamente e dekoracione të uniformës ceremoniale, çdo shenjë (jakë, gjoksi, mbiemri), shirit e kopsë kapele, kopsë e “artë” me nënshkrimin e brendshëm me germa kapitale “Policia e Shtetit” – Shqipëri etj., të miratuara për policinë e Shtetit janë shfuqizuara, ato nuk duhet të përdoren. Të shfuqizuara janë dhe uniformat e forcave Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë, veshjet e qarkullimit rrugor dhe çdo lloj veshje tjetër të miratuara para vitit 2004 për policinë e shtetit, por që sot i ka akoma në përdorim.
Sipas VKM nr. 236 datë 23.04.2004, pika 2/a e këtij vendimi, Ministri i Rendit Publik, gjënë e parë miratonte rregulloren e uniformës së punonjësit të policisë së Shtetit. Ky rregull ishte kuptimplotë, çka do të thotë se, pa uniformë të përcaktuar nuk ka rregull, disiplinë, në fund të fundit kështu punohet, prezantohet Shteti.
Dhe nëse pretendohet se, në policinë e Shtetit ka rregullore të uniformës, sot është vështirë të shohësh e të dallosh dy policë bashkë, që të kenë veshur e të kenë mbathur të njëjtën këpucë të miratuar uniforme, por siç vishet e mbathet një ditë njëri nuk vishet e mbathet tjetri. Është krejt e patolerueshme, sot vihet re objektet e uniformës së policisë, gradat, shenjat e çdo lloj elementi tjetër tip policor të miratuar për policinë e Shtetit, me vendim qeverie të posaçëm dhe që i përkasin vetëm policisë së Shtetit, përdoren e mbahen nga polici të tjera (jo policia e Shtetit) që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë etj., të cilat nuk kanë të njëjtin mision e detyrë që kryen policia e Shtetit. EDHE SOT, EDHE MOT, UNIFORMA E POLICISË SË SHTETIT PA ZOT, ËSHTË DHE MBETET MOLLA E SHERRIT. Dhe zor se kush e ndalon këtë fenomen abuziv të vërtetë, në mënyrë që Shteti të dallojë policinë e Shtetit, policinë e vetë dhe me uniformë. Apo më keq që, punonjësit e policisë në xhaketën e kostumit në detyrë bazë I-rë veç gradës së madhe mbi supe, në vend të shenjës së mbiemrit, mbajnë në gjoks (mbi kapakun e xhepit) gradën e vogël që është e përshtatshme për uniformat e shërbimit ose punonjësit e policisë të rolit bazë mbajnë në pozicion të kundërt shenjën e gjoksit në objektet e uniformës. Apo ka më skandal, 40.000 palë pantallona blu policie të prodhuar në vitin 2006 dhe që i ka sot në përdorim policia, nga të cilat: 20.000 palë pantallona verore (në këto pantallona, kontrasti nuk është i dallueshëm) pozicionin e vendosjes së shiritave ngjyrë të kuqe dhe ngjyrë blu të hapur në gjatësitë anësore të pantallonave (që përfaqësojnë ngjyrat e flamurit të policisë së Shtetit), është i ndryshëm nga pozicioni i vendosjes së shiritave ngjyrë të kuqe dhe blu të hapur (ngjyrë e kontrastit) në 20.000 palë pantallona stofi të kostumit në detyrë bazë I. Ndërsa në 10.000 xhaketa të këtij kostumi siç është pozicioni i vendosjes së shiritave ngjyrë të kuqe e blu të hapur në dy paramëngët e xhaketës, nuk është në paramëngët e xhaketave të tjera brenda kësaj sasie, janë tallur me uniformën e policisë së Shtetit.
Uniforma e policisë së Shtetit, e miratuar me VKM nr. 236 datë 23.04.2004, si rrallëherë e kompletuar, shfaq veçori apo tipare të spikatura, që kërkon të krijojë edhe një hierarki të vlerave artistike, ashtu dhe të dallueshme nga policitë e tjera, por qëllimisht, teknikisht kjo uniformë realizohet e masakruar.
Gjithsesi, VKM nr. 236 datë 23.04.2004 “Për miratimin e uniformës dhe të shenjave të policisë së Shtetit”, ishte një vendim perfekt. Një rregullore e pasur, kuptimplotë e bashkëkohore, punonjësi i policisë njeh objektet e uniformës dhe shenjat dalluese, orienton drejt punonjësit e policisë për përdorimin e tyre sipas periudhave të vitit të përcaktuar në këtë vendim, edhe pse nuk u respektua Më i miri në krahasim me VKM-të që kanë nxjerrë institucionet e tjera, që trajtohen me uniformë. Të gjitha llojet e policive etj., e deri tek shërbimi portual - Durrës kanë kopjuar specifikimet teknike që përcaktojnë kërkesat cilësore në prodhimin e objekteve të veshmbathjes të policisë së Shtetit. Marrin merita! Hapin procedura për blerjen e tyre. Por ky fenomen NUK SHËNON “FUNDIN” APO “FILLIMIN” PIRATERESK!
Medoemos, kur vetë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, hyri në histori, do të mbahet mend, për të mos u harruar kurrë se, 7 copë specialistë veshmbathje të ardhur që nga katërmujori i tretë i vitit 2004 dhe deri më sot (pritet të vijë i teti në “bronz” në veshmbathjen e policisë së Shtetit) për të mos bërë asgjë, por secili nga këta specialistë kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë me materialet teknike të miratuar për uniformën e policisë së Shtetit, sipas parimit KOPJO – DEFORMO – FALSIFIKO. Dhe është fakt i padiskutueshëm se, falsifikimi ka depërtuar dhe në treguesit (kufijtë) ligjorë të standardit shtetëror. Në bashkëpunim dhe në interes të firmave mashtruese, që i diktojnë dhe i plotësojnë ato, për të fituar tenderat (ia kanë dalë mbanë në dëm të cilësisë).
Ndërsa Uniforma e policisë dhe shenjave të kompletimit të saj (miratuar me VKM nr. 236 të Prillit 2004 dhe më parë), përfaqësojnë krijueshmërinë, fantazinë, teknikë të mrekullueshme, në fund të fundit është një mënyrë komunikimi, të punonjësit të policisë së Shtetit me publikun, komunitetin. Ndërkohë sot në policinë e Shtetit,, nuk bëhet më fjalë për uniformë, por për çorbë, madje çorbë të prishur. Shërbimi i veshmbathjes së D.P.P.SH. një magazinë pa inventar (se është me qejf), hyn e del kur të duash. ndërsa me uniformën e shtetit, kur të duash, mund të bësh çfarë të duash dhe si të duash!
*Nënkomisar, ish specialist veshmbathjeje në D.P.P.SH

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›