Tirana me qendër të re spitalore universitare si QSUT-ja
Emanuela Sako
Kryeqyteti do të ketë një Qendër të re Spitalore Universitare, ku pritet të ketë më tepër pacientë nga i gjithë vendi. Në këtë qendër do të zhvillohen edhe orë praktikë mësimore për studentët e mjekësisë dhe infermierisë. Ky hap është marrë falë vendimit të djeshëm, në mbledhjen e qeverisë, e cila miratoi projektvendimin për kthimin e spitalit të Mushkërive “ Shefqet Ndroqi” në spital Universitar “Shefqet Ndroqi”. Kështu, Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, vendosi që spitali i Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi” të kthehet në “Spital Universitar Shefqet Ndroqi”, si person juridik, publik, buxhetor, me kapacitet 300 shtretër, i nivelit terciar, që do të shërbejë si qendër e mjekimit, mësimit dhe kërkimit shkencor, për rajonin e Tiranës. Qendrës së re Spitalore Universitare, do të ketë të njëjtin status si QSUT-ja që ka funksionuar e vetme, si e tillë në vend. Sipas vendimit të fundit të qeverisë, drejtimi administrativ i spitalit është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa drejtimi institucional është në varësi të dyfishtë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pasi do të kryejë veprimtarinë e spitaleve universitare. Qendra do të ketë funksion mjekësor, mësimor dhe kërkimor shkencor.
Spitali i mushkërive
Spitali i Mushkërive, aktualisht funksionon si një spital që kryhen vetëm vizita dhe shtrime për pacientët që kanë probleme me mushkëritë. Ky spital, ofron shërbimin konservativ dhe kirurgjikal vetëm për sëmundjet e mushkërive. Kështu, për trajtimin e sëmundjeve të mushkërive dhe mjekimin e tyre pranë familjes, jashtë spitalit si dhe nivelin e shfrytëzimit të shtratit, Ministria e Shëndetësisë kërkon shtimin e disa shërbimeve të tjera, duke marrë statusin e një spitali të nivelit terciar. Në bazë të perceptimit të ri për këtë qendër të re spitalore universitare me kapacitete 300 shtretër, do të vendosë Ministria e Shëndetësisë për të bërë ndarjen sipas shërbimeve që do të ofrohen. Në spital do të bëhen edhe konsulta për vizitat ambulatore. Organizimi i spitalit do të jetë në shërbime dhe departamente ndërsa marrëdhëniet midis drejtorisë së spitalit dhe Fakultetit të Mjekësisë do të rregullohen me statutin e miratuar nga Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Situata
Me krijimin e Qendrës Spitalore Universitare “Shefqet Ndroqi”, pritet që të ndryshojë edhe gjendja në QSUT, e cila pret pacientë nga i gjithë vendi. Në shumicën e rasteve QSUT-ja ka kryer edhe rolin e poliklinikave, pasi pacientëve u ka humbur besimi për t’iu ushtruar vizitave në poliklinika. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, krijimi i një qendre të re me funksion të njëjtë si QSUT-ja, do të lehtësonte punën në këtë qendër. E njëjta gjë vlen edhe për pacientët, të cilët do të mbarojnë punë më shpejt, pasi do të jenë shmangur radhët e gjata. Po kështu, shërbimi i personelit mjekësor do të jetë më i shpejtë dhe më efikas.
12 Qershor 2008