Çmimi i tokës turistike më i lirë se në Tiranë
05/02/2005 Toka turistike do të kenë një çmim dy deri në tre herë më të ulëta se tokat truall në Tiranë. Sipas metodikës së paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, tokat truall në Tiranë do të kenë një çmim deri në 606 euro metri katror. Ndërsa tokat truall turistike do të kenë një çmim deri në 210 euro metri katror. Shkak për këtë është bërë fakti se në Tiranë ka një kërkesë gjithnjë e në rritje për ndërtimin e banesave, të cilat janë shumëkatëshe. Kjo sjell një rritje të menjëhershme të çmimit në Tiranë. Në të kundërt me këtë, ndërtimet në zonat turistike janë dhe më të kufizuara, ndaj dhe çmimi do të jetë më i lirë. Gjithsesi, në krahasim me qytete të tjerë, çmimi i tokës truall do të jetë shumë herë më i lirë se në zonat turistike. Në metodikën e miratuar prej Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është marrë për bazë mendimi i ekspertëve të fushave të ndryshme. Megjithatë, do të jetë Kuvendi i Shqipërisë që do të vendosë përfundimisht mbi çmimet e tokës në Shqipëri për zbatimin e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave.