E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qeveria shton dhe 50 trupa komando në Irak

26/02/2005  Shqipëria rrit mbështetjen ndaj koalicionin antiterrorizëm

Qeveria e Shqipërisë vendosi që të dërgojë në Irak dhe 50 trupa të tjerë ushtarakë. Sipas vendimit të marrë dje, shtimi i trupave është përfshirë në projektligjin për "ristrukturimin e Kompanisë Komando të FA të Shqipërisë, së bashku me strukturat mbështetëse, të dërguara në rajonin e Gjirit Persik, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit”. Sipas vendimit, kompania komando, që vepron aktualisht në Irak, do të ketë 120 vetë, i cili është numri optimal i një kompanie standarde të vendeve të NATO-s për të siguruar në mënyrë të plotë përmbushjen e misionit të saj. Një vendim i tillë është marrë vetëm një muaj para nisjes së kreut të Qeverisë, Fatos Nano, në Samitin e NATO-s, që do të mbahet më 24 mars. Gjithsesi përfaqësuesit e Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kryesojnë koalicionin antikorrupsion kanë dhënë vlerësimet më pozitive për trupat shqiptare, duke dekoruar dhe dy prej tyre. Ndërsa deri më tani komandot shqiptare kanë përballuar një sërë sulmesh guerile, ku kanë mbetur të plagosur tre ushtarë. Megjithatë, shqiptarët nuk janë angazhuar vetëm në komandot që janë nisur prej Shqipërisë. Në forcat amerikane bëjnë pjesë dhe disa shqiptarë, ku dy prej tyre kanë dhënë jetën. Duke e vlerësuar angazhimin në luftën kundër terrorizmit si një detyrë të lartë, Shqipëria ka vendosur që të mbështesë koalicionin dhe me 50 trupa të tjerë komando, duke e çuar këtë numër në 120 të tillë. Vendimin përfundimtar tashmë do ta marrë vota në parlament.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›