E Diel, 1 Nëntor 2026

Një të tretën apo 50 përqind?

Nga prioriteti i kësaj qeverie janë trumbetuar dhe politikat sociale në arsim, ndër të tjerave nepërmjet rimbursimit të teksteve.

Duke konsideruar vetë qeverinë si një sapun 15 lekësh që lëshon flluska ende pa u lagur, le ta përfytyrojmë rimbursimin e teksteve si një tollumbace që shfryhet pa u ngritur ende në qiell. Dhe kjo, jo nga dëshira për të zëvëndësuar punën e Qeverisë

Vitin e kaluar, shpërndarja e tekstit, pajisja e nxënësve me fatura tatimore e përfundimisht rimbursimi, ishte në nivelin skandaloz të mundshëm. Radhë pa fund, fatura të munguara, tekste të pashënuara, gjithçka katrahurë

Po këtë vit? Në mënyrë tepër të heshtur, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka vendosur që të mos ketë asnjë lloj rimbursimi për nxënësit e arsimit të mesëm dhe për arsimin 9-vjeçar, rimbursimi të jetë në masën 50% të vlerës së tekstit të blerë.

Po lamtumirë shtresa në nevojë, lamtumirë familje me probleme sociale, hallexhinj bëjini hall vetes, kështu ka vendosur të thotë Ministria. Por dhe brenda këtij pesëdhjetëpërqindëshi, nuk mugojnë prapaskenat, për të cilat gjykoj se, deri tani, nuk është shkruar.

Pothuajse çdo tekst në arsimin 9-vjeçar, përjashtuar Edukimin Fizik, si lëndë shoqërohet me fletë pune. Hidhni një sy mbi çmimet. Secila nga fletët e punës ka një çmim më të lartë se vetë libri. Pse? Fletët e punës nuk shënohen në fatura tatimore që u jepen nxënësve për rimbursim; ndonëse janë pjesë e librit, u ka qejfi t’i quajnë si punë fletoresh.

Po të bësh llogaritë e secilës nga klasat e 9-vjeçares, rezulton se, në vlerën totale të shpenzimit që bëjnë nxënësit për tekstet dhe fletët e punës (nëvizojmë për tekstet, e jo për mjetet aq të domosdoshme që duken), Ministria rimburson vetëm një të tretën e vlerës së harxhuar dhe kjo në masën 50%, që do të thotë, rimbursohet afërsisht 16/6% dhe kjo, kur t’i teket qeverisë.

Çdo prind i bën vetë llogaritë. Ministria le të vazhdojë të bëjë llogaritë e saj, por të paktën të mos vazhdojë të tallet, pasi llogari dinë të bëjnë dhe nxënësit e fillores.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›