E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, 2 femije falin kursimet per te shlyer borxhet

ATHINE- Dy fëmijë kanë dhuruar kursimet e tyre si një ndihmë për shlyerjen e borxhit të stërmadh të Greqisë. Ata janë ftuar të premten në parlament nga kryetari i parlamentit Filipos Petsalnikos i cili i falënderoi për këtë gjest të lartë qytetarie.

Tetë vjeçari Nikolas dhe gjashtë vjeçari George, të cilët jetojnë në lagjet periferike të Athinës, thanë se ishin shqetësuar për situatën e krijuar në vend pasi kishin dëgjuar gjyshen të fliste për këtë gjë, por sidomos kur dëgjuan në lajme që politikanët gjermanë kishin sugjeruar që Greqia të përfitonte nga ishujt e saj të shumtë për të siguruar të ardhurat e nevojshme për shlyerjen e borxhit. "Ne morëm kursimet tona të pakta dhe i vendosëm në bankë pasi nuk duam që ishujt tanë të shiten" tha tetë vjeçari Nikolas.
Ai iu referua një lajmi të bërë të ditur në Mars kur dy anëtarë të parlamentit gjerman, pjesëtarë të koalicionit qeverisës të qendrës së djathtë, kryesuar nga Merkel, thanë se Greqia duhej ta merrte në konsideratë idenë e shitjes së ishujve si një prej mundësive për shlyerjen e borxhit.

Shuma e dhuruar nga djemtë e vegjël, e cila nuk i kalon 20 Euro, shkon në një llogari të posaçme bankare të krijuar nga parlamenti grek si pjesë e një fondi kombëtar për dhurime që synojnë të ndihmojnë qeverinë të përballojë krizën financiare.

Borxhi publik i Greqisë arriti në 121 përqind të GDP në vitin 2010, ndërkohë që defiçiti buxhetor ka arritur në 12.9 përqind, mëse katër herë më shumë se kufiri i vendosur nga Bashkimi Europian.

Ky fond, i krijuar në muajin Mars, ka arritur të mbledhë rreth 25 milion euro deri tani, sipas shtypit vendas. Përveç qytetarëve të thjeshtë edhe anëtarë të parlamentit, peshkopë, politikanë lokalë e basketbollistë vendas kanë dhuruar shuma të ndryshme të hollash. Këngëtarja e mirënjohur greke Nana Muskuri ka dhuruar pensionin që merr si ish-anëtare e parlamentit europian.

Kreu i parlamentit, Filipos Petsalnikos, i përgëzoi dy djemtë e vegjël dhe si dhuratë u beri një shëtitje nëpër ambjentet e parlamentit si dhe i uli në kolltukun e tij.
(s.t/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›