Kriza, BERZH reagon me 8 miliardë euro
Në përgjigje të krizës ekonomike, që ka përfshirë ekonomitë më të mëdha të botës, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) parashikon të investojë rreth 8 miliardë euro. Fondi i përket vitit 2009, ku pasojat e krizës kanë qenë më të mëdhatë e 60 viteve të fundit. Bordi Drejtues i BERZH miratoi dje rritjen e fondit të investimeve për këtë vit me 1 miliard euro, duke bërë të mundur një shpenzim mbi 50 për qind më të lartë se viti 2008. Sakaq, deri në fund të muajit gusht, Banka i është përgjigjur nevojës për para te vendet me probleme, duke mundësuar lëvrimin e 5.8 miliardë eurove në formë investimi, ose gati 95 për qind më shumë sesa disa vite më parë. Sipas presidentit të BERZH, Thomas Mirow, "ambienti ekonomik vazhdon të hasë në vështirësitë e shkaktuara nga kriza, por ne jemi të përgatitur dhe gati t‘u përgjigjemi me investime. Do të vazhdojmë të mbështesim ato vende ku kriza ka prekur më shumë dhe që kanë nevojë për investime".