E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Bode: Nuk jemi të izoluar



Sistemi financiar shqiptar nuk është i izoluar dhe për rrjedhojë ai mund të pasqyrojë problematika të sistemit financiar rajonal. Deklaratën e bëri ministri i Financave Ridvan Bode gjatë konferencës me temë "Financa të Përgjegjshme", e organizuar nga Banka e Shqipërisë, banka gjermane KfW dhe EFSE. Ministri shpjegoi se edhe pse sistemi shqiptar bankar ka qenë likuid dhe me një mbikëqyrje eficente, nuk mund të thuhet me siguri të plotë se një vijim i problemeve të sistemit financiar të bankave të rajonit, që kanë bijat e tyre në Shqipëri, do të mund të kursejë një vend sado i izoluar apo sado avantazhe që mund te ketë në një fazë fillestare. "Sistemi financiar edhe në rajonin tonë edhe më gjerë nuk është një sistem i izoluar që operon me tregje dhe rregulla të ndara aq me tepër që në Shqipëri pjesa dërrmuese e bankave zotërohen nga investitorë të huaj", tha Bode. Deklarata e ministrit vjen në kohën kur gjithmonë e më shumë po diskutohet mbi efektet që mund të ketë kriza greke mbi ekonomitë e rajonit. Ministri i Financave u ndal dje edhe tek ulja e borxhit publik, një këshillë që Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka bërë shpesh në adresë të Shqipërisë. Aktualisht sikundër konfirmoi Bode Qeveria shqiptare është konsultuar me FMN-në lidhur me politikat fiskale. Sa i përket krizës, ai u shpreh se lind nevoja që në të ardhmen të ndiqet një politikë më e kujdesshme makro-ekonomike sikundër duhet vepruar edhe me kreditimin. Nga njëra anë ministri bëri thirrje për nxitje të kreditimit, por në anën tjetër vuri në dukje se duhet një përgjegjshmëri më e lartë në mënyrë që kreditë e këqija të mos jenë një problematikë sikundër shfaqen sot. "Institucionet rregullatorë, fiskale dhe monetare së bashku, duhet të hartojnë dhe zbatojnë me mjaft kujdes masa specifike që kanë për qëllim parandalimin e financës së papërgjegjshme në të ardhmen. Pavarësisht se sektori bankar shqiptar ishte i mirëmonitoruar dhe mirëmbikëqyrur gjatë krizës financiare, ne mund të nxjerrim mjaft mësime nga ato çka ndodhën në rajon dhe më gjerë dhe mund të marrim masa për të krijuar një mjedis kreditues sa më transparent dhe sa më rezistent ndaj dështimit që të jetë e mundur" tha Bode. Kurse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani u ndal në anën tjetër të medaljes. Ai u shpreh se bankat duhet të jenë më transparente ndaj individëve lidhur me kreditë. "Mungesa e transparencës nuk përçon informacionin dhe rrjedhimisht nuk garanton kushtet që agjentët të jenë racionalë në vendimmarrje prandaj ka nevojë për transparencë dhe përgjegjshmëri" tha Fullani. Ai theksoi se institucionet financiare duhet të jenë më të kujdesshme ndaj mënyrës që përçojnë ofertat, "duhet të ndërtojnë një strategji të qartë komunikimi me publikun për produktet që ofrojnë, kushtet financiare me të cilat i ofrojnë këto produkte, dhe objektivat që ato kanë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›