TVSH, biznesi i vogël mbyll aktivitetin
Ndryshimet në ligjin "Për procedurat tatimore" dhe qarkorja e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë krijuar kaos për biznesin e vogël. Sipas drejtoreshës së taksave në Bashkinë e Tiranës Belinda Ikonomi, këtij biznesi i duhet të plotësojë në të njëjtën kohë faturat tatimore për taksat në Bashki dhe për administratën tatimore. Kjo lidhet me VKM-në që përcakton qartë që pragu i kufirit të një biznesi të vogël për të hyrë në sistemin e TVSH-së do të jetë në 2010 tek 5 milionë lekë të rinj, kurse nga ana tjetër ka një qarkore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që specifikon që të gjitha bizneset që kanë dorëzuar në 2008 bilance me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, automatikisht këtë vit do të jenë subjekte të TVSH-së. Ndërkohë Ikonomi shpjegon se impakti që ka pasur ndryshimi ligjor është pasqyruar negativisht pranë Bashkisë. "Për shkak të ndryshimit të nivelit të TVSH-së ka pasur në fillim të këtij viti, një numër të madh biznesesh që kanë mbyllur aktivitetin dhe kanë rihapur një aktivitet tjetër vetëm për ti shpëtuar pragut të TVSH-së çka na ka hapur mjaft probleme. Kjo situatë shkakton kaos për të dy palët, bizneset dhe ne" u shpreh drejtoresha Ikonomi. Ajo ju referua edhe faktit që rreth 38 për qind e bizneseve që kanë dorëzuar vetëdeklarimin e të ardhurave për 2009 kanë dorëzuar të ardhura më të ulëta se 2008, çka përbën një sinjal negativ për planin buxhetor të Bashkisë së Tiranës. Lidhur me informalitetin, Belinda Ikonomi tha se ekziston një projekt për identifikimin e biznesit dhe formalizimin e tij sepse evazioni fiskal është rritur. "Ka shumë biznese që nuk kanë as leje as licencë dhe punojnë në tregun informal. Nga një kontroll i inspektorëve të bashkisë ka dalë se 3500 biznese punonin në Tiranë pa asnjë lloj leje aktiviteti privat" tha ajo.