E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, GSH zbardh detajet e drafit të Ndërkombëtarëve

TIRANE-Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, informoi dje se faktori ndërkombëtar i ka servirur në tryezë klasës politike shqiptare formulën e konsensusit për zgjidhjen e ngërçit politik. "Gazeta Shqiptare" në artikullin e shkruar nga Tedi Blushi, zbardh sot paketën e propozimeve të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës. Në vija të përgjithshme dy janë variantet që propozojnë ndërkombëtarët, që pritet të çojnë drejt një konsensusi maxhorancën dhe opozitën shqiptare. Konkretisht, varianti i parë mbështetet tek hapja pjesore e kutive të votimit, që përfshin vetëm ato të materialeve zgjedhore. Ndërsa varianti tjetër është ankimi i çështjes së hapjes së kutive të votimit në Gjykatën Kushtetuese, e cila nga ana e saj t’i drejtohet mandej për konsulencë Komisionit të Venecias. Burime pranë kreut të PS-së thanë mbrëmë për “Gazetën Shqiptare” se kryetari socialist, Rama ka rënë dakord në parim me propozimet e faktorit ndërkombëtar. Por, mësohet se kryeministri Berisha ka refuzuar kategorikisht hapjen e kutive dhe i qëndron idesë se ato duhet te digjen.
Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka garantuar vullnetin për të ndërmjetësuar vendosjen e dialogut mes qeverisë dhe opozitës. “Mund t’i referohem dhe datës 21 prill të vitit 2008, kur palët kanë gjetur një konsensus, që unë e kam përgëzuar me votat e 115 deputetëve kur kanë ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë”, - është shprehur Topi.
Vetë Robert Bosch nuk hyri në detaje të marrëveshjes por nënvzioi se ajo ka mbëshetetjen e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së dhe palët duhet ta pranojnë atë për hir të interesave të vendit, duke shmangur interesat e tyre personale. Përmes një deklarate në formë ultimative, Bosch i apeloi dje indirekt kryeministrit, Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, që të mos përdorin justifikime teknike për të refuzuar këtë formulë. Nga ana e tij Presidenti i Republikës, Bamir Topi në një intervistë të dhënë dje për për emisionin “Zonë e Lirë”, deklaroi se nuk është në dijeni të një formule konsensusi të propozuar nga ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës politike në vend.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›